“Shkolla e dështimit”, që ju mëson t’ia filloni nga e para pas gabimeve tuaja

0
Shpërndaje lajmin

Nga Micol Maccario
Nuk ekziston një përkufizim unik mbi “dështimin”. Secili e përjeton atë ndryshe, dhe i jep një kuptim individual. Për shembull, për disa, dështim do të thotë ngelja në një provim apo humbja e vendit të punës. Për të tjerët fundi i një marrëdhënieje në çift apo falimentimi i një kompanie.
E vetmja gjë e sigurt, është se herët a vonë ne të gjithë dështojmë në një mënyrë apo tjetrën. Dështimi ka shumë fytyra. Ka nga ata që e lartësojnë, duke e cilësar si një hap themelor dhe thuajse të dëshirueshëm për rritjen personale.
Në këtë rast flitet për “failozofinë ”, pra artin e të dështuarit me sukses, ose filozofinë japoneze të jetës “shippai”, që tregon një “dështim pozitiv ose konstruktiv”. Por ka të tjerët që e konsiderojnë dështimin si diçka të papranueshme dhe të turpshme, pra si diçka që duhet fshehur.
Qasja e Francesca Corrado, themeluese e Shkollës së Dështimit, është e ndërmjetme. Ajo thotë se dështimi është “pika përfundimtare në një seri gabimesh shpeshherë sistematike, të cilat nuk janë korrigjuar”. Objektivi i shkollës që ka ngritur, është të mësojë njerëzit të pranojë zhgënjimin që mund të burojë nga një gabim, dhe të përpiqen të shohin të gjithë projektin dhe jo vetëm një rezultat.
Ndonjëherë të kesh gabuar do të thotë të ndryshosh drejtimin, dhe t’i shohësh gjërat nga një këndvështrim tjetër, jo domosdoshmërisht negativ. “Falë gabimeve të mia unë themelova këtë shkollë. Përpara se të isha studiuese në Universitetin e Modenës, merresha me mirëqenien dhe mundësitë e barabarta dhe kisha ngritur një start-up trajnimi dhe konsulence. Në një moment dështova. Humba para, marrëdhënie dhe role. Por jo aftësitë e mia, të cilat më lejuan të rifilloja nga e para”- thotë Corrado. Kështu lindi vendimi për hapjen e Shkollës së Dështimit, me kurse të përkushtuara enkas për shkolla, profesionistë dhe kompani.
“Ajo është një shkollë mendimi. Ne kalojmë kohë duke studiuar dhe arsyetuar se si t’i ndihmojmë njerëzit të kenë një këndvështrim tjetër për atë që u ka ndodhur. Ne duam ta vëmë theksin tek rëndësia e të bërit gabime të mira. Në fakt, kur gabon nuk mëson asgjë, nëse nuk ndalesh të analizosh gabimet e tua”- shton ajo.
Hapi themelor qëndron tek të kuptuarit e gabimeve. “Është e rëndësishme të kuptojmë procesin nëpër të cilin kaluam dhe që na çoi tek një zgjedhje e caktuar që rezultoi të ishte e gabuar. Dhe më pas të mos e bëjmë më kurrë atë në të ardhmen”- thotë Corrado.
Analizimi i gabimeve ju jep mundësinë t’i kuptoni ato, t’i zhdramatizoni dhe ta ndani atë përvojë me të tjerët. Kjo qasje nuk do t’ju pengojë të bëni gabime të reja, por do t’ju lejojë të bëni gabime më të mira. Duke dështuar, keni mundësi të njihni më mirë veten dhe aftësitë tuaja, duke ditur se si të menaxhoni ëndrrat të cilat me kalimin e kohës dhe falë edhe gabimeve, mund të ndryshojnë.
Në këtë shkollë mësohet se fundi dhe fillimi shpesh mund të përkojnë. Dështimi mund t’i japë fund diçkaje që nuk ishte më e drejtë dhe të shënojë fillimin e një gjëje më të mirë. Ai mund të jetë një rrugë alternative, e cila nuk do të ishte vlerësuar kurrë në rrethana të tjera.
“Teoria na thotë që të përqendrohemi tek pikat tona më të forta. Por unë them se vetëm duke kuptuar se çfarë janë ato, ne mund t’ia nisim nga e para me një ndërgjegjësim të ri”- thotë Corrado. Marrja në konsideratë e gabimit, varet edhe nga gjinia dhe mosha.
“Gratë kanë më shumë frikë të bëjnë gabime, dhe priren të mendojnë shumë, sepse janë më të mësuara me përsosmërinë. Kjo nuk është çështje biologjike, por varet nga edukimi. Adoleshentët kanë një tendencë për të vepruar më emocionalisht dhe e shohin çdo humbje të vogël si një tragjedi. Fëmijët i përjetojnë ndryshe gabimet, dhe po ndryshe i pranojnë dhe i kuptojnë. Më pas ata hyjnë në një kontekst social në të cilin i rrituri u thotë: “Tani je i rritur mos bëj gabime dhe perceptimi i tyre ndryshon”- thotë Corrado.
Shpeshherë pesha e pritshmërive vetjake por edhe e tjerëve bëhet shumë e rëndë, dhe shpesh harrojmë se jeta nuk është një garë, as një sfidë e vazhdueshme. Ka histori të njohura dështimesh që ngjallin shpresë – si ajo e shkrimtares britanike JK Rowling apo Albert Einstein – por ka edhe episode të njerëzve që, të përballur me dështimin, nuk janë në gjendje t’ia fillojnë nga e para.
E sigurt është se qëndrueshmëria dhe kokëfortësia, janë cilësi thelbësore për të arritur synimet, dhe nëse dështimi përballohet në mënyrë pozitive, tek individi zhvillohet këmbëngulja dhe vetëkontrolli.
Megjithatë, është e vërtetë që këto aftësi nuk mjaftojnë për të shkruar një libër të suksesshëm apo për t’u bërë një nga fizikantët më të njohur në botë. Njëherazi, të dish se si të pranosh të jesh njeri dhe të nisësh nga gabimet, do të thotë të jesh në gjendje t’i shndërrosh gabimet në kënaqësitë e së ardhmes.
E vërteta është se të dështosh është si të shkosh në shkollë, të biesh në dashuri, të mësosh të ngasësh makinën. Ai është pjesë e jetës, një hap i detyrueshëm, që të gjithë e përjetojnë. Ndaj është mirë të mësosh ta përballosh atë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Parë nga këndvështrimi i përmirësimit personal, nuk duhet të ndikojë negativisht as tek vetëvlerësimi, dhe as tek dëshirat e ardhshme. Përkundrazi, në disa raste mund të jetë madje një bekim, sepse ofron mundësinë për të hyrë në shtigje të reja. / “Linkiesta” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *