Shkrija e LSI-së, Ilir Meta shkarkon Monikën dhe merr vetë drejtimin e bandës, del në terren me shpurën e Presidencës

Share

Pas shkrirjes së degës së LSI-së në Berat, Ilir Meta humbet durimin dhe largon Monikën, kupola e partisë zhvendoset në Presidencë ku po bëhen listat dhe strategjitë elektorale

Angazhimi i faktorit ndërkombëtar dhe Lulzim Bashës në prapaskenë, si dhe i Edi Ramës në skenë, për shkrirjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si një mutacion politik, çetë pazaresh, bandë korrupsioni dhe simbol i bllokut të zi, ka alarmuar dhe vënë në lëvizje Ilir Metën, për të shpëtuar ndërmarrjen familjare nga shkërmoqja e plotë nën drejtimin e të shoqes Monika Kryemadhi.

Ndërsa banda me natyrë familjare po braktiset çdo ditë nga figurat qëndrore politike në të gjitha rrethet dhe grupe anëtarësh, të cilët po rendin drejt Edi Ramës, Ilir Meta ka shkarkuar de fakto bashkëshorten Monika Kryemadhi, duke marrë vetë drejtimin e partisë, bashkë me një shpurë ushtarësh që i ka punësuar në Presidencë.

Në fundjavë, Ilir Meta, pasi kërcënoi edhe një herë SHBA-BE se do të mblidhte popullin dhe do destabilizonte vendin nëse preket nga SPAK, u zhvendos në Berat bashkë me shpurën e Presidencës, aty ku LSI-ja nuk ekziston më.

Në harkun kohor të disa javëve, Edi Rama arriti të shkrinte degën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Berat. Fillimisht, Meta dhe Monika u braktisën nga Nasip Naço dhe Gledjon Rehovica, më parë deputetë të LSI-së. Më pas, me dhjetëra anëtarë dhe drejtues të LSI-së në të gjithë Qarkun e Beratit braktisën në bllok partinë e Metës dhe Monikës, duke u bashkuar me PS-në. Pas largimit, Gledion Rehovica tha se për fundin politik të LSI-së, si simbol i korrupsionit dhe plaçkitjes, janë interesuar dhe angazhuar përfaqësuesit diplomatikë të Perëndimit në Shqipëri.

“Sa për dijeni unë kam informacion se të gjithë zyrtarët e lartë të strukturave të LSI janë kontaktuar nga trupa diplomatike për t’i paralajmëruar që të distancohen nga Kryemadhi”, tha ai.

Nga ana tjetër, Nasip Naço, u shpreh se pas largimit të Metës në Presidencë, partia ka degraduar nën drejtimin e Monikës. Kjo e fundit jo vetëm nuk po i ndal dot largimet, por është identifikuar si një nga shkaqet e shkërmoqjes së partisë. Naço është shprehur se “Në 2017 brenda LSI-së u krijua një marrëdhënie disi e ngurtë pas largimit të Ilir Metës. U ndryshua statuti. Në LSI është krijuar një kryesi ekzekutive që në një farë mënyre sfumoi kryesinë e madhe. Të gjitha vendimet i merrte një grup prej tre katër vetash. Nuk përfaqësonin ndonjë gjë të madhe në elektorat. Kjo kryesi ekzekutive ishte njësoj si ajo në kohën e Enverit, si sekretariati”.

Javën që kaloi, Rama dhe Naço i dhanë një tjetër goditje Ilir Metës në Berat. Ata kishin arritur marrëveshjen me 112 gra, të cilat do të braktisnin LSI-së dhe largimin do ta deklaronin publikisht. Ky ishte kulmi dhe Ilir Meta nuk mund të fshihej më, duke e drejtuar partinë në hije. Meta doli nga llogorja e Presidencës dhe me 20 shkurt zbarkoi në Berat, duke zhvilluar takime me njerëzit e fundit që i kanë mbetur.

Sipas burimeve, Meta ka tentuar të joshë dhe të bindë ushtarët e fundit që të mos braktisin LSI-në, duke u premtuar se partia e tij do të vijë sërish në pushtet dhe kohët e arta do të riktheheshin sërish pas 25 prillit. Megjithatë, një ditë më pas, 120 anëtare të LSI-së u shfaqën në krah të Nasip Naços, teksa deklaruan bashkimin me PS-në. Që nga kjo fundjavë Ilir Meta ka marrë drejtimin e LSI-së, duke shkarkuar përfundimisht Monikën. Tani të gjitha planet, lëvizjet, pazaret për listat etj., bëhen në Presidencë. Drejtuesit e fushatës dhe strategjitë elektorale përcaktohen nga Meta po në Presidencë./Pamfleti


Share

Komente