October 16, 2021

Shpërndanin drogë, arrestohen 2 anëtarët e një grupi kriminal në Durrës

Shpërndaje lajmin

Policia e Durrësit në bashkëpunim me atë të Fierit kanë bërë të mundur arrestimin e dy prej anëtarëve të një bande kriminale që shpërndanin drogë. Në kërkim është shpallur dhe bashkëpunëtori i tyre i cili nuk u gjend në banesë gjatë kontrollit nga shërbimet e policisë.

Njoftimi i policisë:

Durrës

Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Trinomi”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.

Operacioni i nisur që në tetor 2020, nga strukturat e Hetimit Kundër Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Goditet një grup kriminal që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Grupi e ushtronte këtë veprimtari kriminale në Durrës, Lushnjë dhe Tiranë.

Kapen dhe vihen në pranga 2 nga pjesëtarët e këtij grupi dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre, i cili gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë nuk u gjend në banesë.

Në vitin 2020, në nisjen e operacionit u arrestuan në flagrancë edhe 2 prej pjestarëve të tjerë të këtij grupi.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët e DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një pune hetimore disamujore kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Trinomi”.

Në kuadër të procedimit penal të vitit 2020, për vepren penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria Durrës, në ngarkim të dy shtetasve të tjerë:

K. T., 26 vjeç dhe S. T., 20 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit L. S., banues në Lushnjë.

Në nisje të procedimit penal në tetor 2020, nga ana e specialistëve për Narkotikët në DVP Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit M. R. dhe J.B., banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur ” Mbikalimi i Plepave”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin M. R. dhe pasagjer shtetasin J. B., në bagazh është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Nga hetimet disamujore të kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike me klientë të ndryshëm në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe Lushnjës.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *