April 19, 2021

Shqipëri sfidon shpikësit e futbollit, për të marrë pikë duhen “shqiponja me zemër luani”

Shpërndaje lajmin

“Fituesi është një ëndërrimtar që refuzohej të dorëzohej”.  Me motivimin tek fjalët e një ikone si Nelson Mandela, “Shqiponjat Kuqezi” do të zbresin në arenën “Air Albania” për të sfiduar shpikësit e futbollit dhe për të mposhtur “Tre Luanët” duhet që në zemrën e shqiponjës të ketë 1000 luanë.

Teknikisht, nuk do të fitojmë dot asnjëherë ndaj një skuadre që e gjitha vlen mbi 1 miliard euro, por shpirti luftarak nuk blihet më para dhe vlen më shumë sesa një driblim i bukur apo një gjuajtje me efekt. Betejë për çdo centimetër, sepse, në fund, aty është diferenca mes dështimit dhe suksesit, asnjëherë nuk kanë qenë më të drejta fjalët e Al Pacinos.

Futbolli nuk është një lojë matematikore, 1 + 1 bëjnë dy, sepse ka raste kur nuk të del llogaria, ka raste, kur Davidi e gjunjëzon Goliathin, duke vendosur zemrën, zgjuarsinë, duke njohur limitet e veta.

4 herë jemi përballur me anglezët, asnjëherë nuk i kemi mposhtur, asnjëherë nuk i kemi ndalur. I shkuam pranë një herë në vitin 2001 me një super Altin Rraklli, por gjyqtari na mohoi një barazim të çmendur. Ndoshta ka ardhur momenti që kjo përfaqësuese e udhëhequr nga besimi dhe motivimi të vendosë një derë çeliku përballë një prej kombëtareve më të mira të Europës.

Do të jetë si të kalosh përtej ferrit, por nëse dëshiron lavdinë, duhet të jesh i gatshëm ta bësh diçka të tillë, pa u tërhequr e pa u frikësuar. Është një ëndërr, por është një ëndërr reale për kuqezinjtë. Në futboll edhe humb, në fund të fundit, nëse ndodh, nuk është se po humb ndaj një kundërshtari modest, por kryesorja është që kur të dalësh nga fusha mos të kesh brenga, të shohësh në sy këdo, i vetëdijshëm që dhe gjithçka për ngjyrat e flamurit të kombit tënd, sepse skuadra përfaqësuese këtë të veçantë ka, nuk luan thjesht për fanellën, luan për njerëzit e tu, me ata që ndan një tokë, një gjuhë, një traditë, një gjak. Nuk do të jetë e thjeshtë, por kur ka qenë ndonjëherë e thjeshtë ta shkruash emrin në histori!/ss/


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *