Shqipëria shënon progres në respektimin e të drejtave të qytetarëve
Indeksi i Sundimit të Ligjit për vitin 2022, publikuar nga Organizata World Justice Project, për 140 vende të botës, tregon një përmirësim të situatës në Shqipëri sa i takon respektimit të të drejtave themelore të qytetarëve nga autoritetet shtetërore.
Treguesi i katërt i indeksit për të drejtat themelore tregon se sa i respekton shteti të drejtat sipas ligjeve kombëtare dhe konventave ndërkombëtare, ku Shqipëria është përmirësuar me 3 vende, pasi renditet në vendin e 63-të nga vendi i 66-të, ku ishte më 2021.
Një nga nënfaktorët e këtij treguesi, ku Shqipëria shënon përmirësim, është “Garantimi Efektiv i Lirisë së Shprehjes dhe të Mendimit”.
Për lirinë e shprehjes, Shqipëria merr në indeksin e këtij viti 0.51 pikë, një rezultat i kënaqshëm, pasi mesatarja rajonale e pikëve për këtë nënfaktor është 0.46 pikë, ndërsa mesatarja globale 0.56 pikë. Shqipëria pra qëndron midis mesatares rajonale dhe asaj globale./TCH