“Shqipëria shquhet për ndërthurjen unike të plazheve dhe trashëgimisë së pasur historike”

0
Shpërndaje lajmin

Shqipëria shquhet për ndërthurjen unike të plazheve parajsore dhe trashëgimisë së pasur historike, të gjitha me një kosto të ulët, sipas revistës franceze të udhëtimeve “Yourtopia”.
Ky vend ofron një shumëllojshmëri destinacionesh që premtojnë një eksperiencë të paharrueshme për udhëtarët që kërkojnë bregdetin dhe aventurat kulturore, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.
Riviera shqiptare
Riviera shqiptare, e cila shtrihet nga Vlora në Ksamil, është e mbushur me gjire që të lënë pa frymë.
Ky rajon ofron një mjedis të qetë pushimesh, larg turmave masive të cilat janë të zakonshme në rivierat më të njohura evropiane, me të njëjtën bukuri natyrore mahnitëse por këtu i gjeni me kosto më të ulët.
Zbulimi i Butrintit – Një udhëtim në histori
Butrinti një qendër kulturore e rëndësishme që nga koha e grekëve, romakëve, bizantinëve, venecianëve dhe osmanëve të lashtë, shpesh konsiderohet si mikrokozmosi i përsosur i historisë së Mesdheut.
Vendi arkeologjik ofron një pasqyrë magjepsëse në disa epoka historike.
Vizitorët mund të eksplorojnë amfiteatrin antik, një agora dhe mbetje të tjera që dëshmojnë për madhështinë e kaluar të këtij rajoni.
Kjo histori e pasur, e kombinuar me plazhet e pacenuara të ishujve të Ksamilit dhe trashëgiminë osmane të ruajtur në qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, e bën Shqipërinë një destinacion tërheqës për adhuruesit e historisë dhe bukurive natyrore.
Aty pranë ndodhen ishujt e Ksamilit, të konsideruara si “Maldivet e Shqipërisë”, të cilat ofrojnë plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra të kristalta, ideale për t’u çlodhur pas një dite të gjatë eksplorimi.
Zhytuni në historinë osmane në Berat dhe Gjirokastër
Qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës janë gurë të çmuar të arkitekturës osmane, pasi i kanë shpëtuar shkatërrimit gjatë epokës komuniste.
Berati, me shtëpitë e tij kodrinore të zbukuruara me një mijë dritare, dhe Gjirokastra, e dominuar nga kështjella e shekullit të XII, ofrojnë një pasqyrë unike të jetës nën drejtimin e Perandorisë Osmane.
Një udhëtim në këto dy qytete është i domosdoshëm për udhëtarët që kërkojnë të kuptojnë historinë komplekse të Shqipërisë.
Këshilla për udhëtimin tuaj
Për një qëndrim të këndshëm, akomodohuni në “Blue Eye Hotel” në Ksamil, ku tarifat fillojnë nga 50 euro për natë.
Për të vizituar Beratin dhe Gjirokastrën, ndiqni turnetë dyditore dhe eksploroni historinë dhe kulturën vendase.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *