Shqipëria tejkalon mesataren e vdekshmërisë në 2 vite pandemi

Shpërndaje lajmin

Gjatë dy viteve pandemi, Shqipëria ka tejkaluar mesataren e vdekshmërisë së popullsisë.
Në vitin 2020 dhe 2021 vendi ynë numëron disa mijëra humbje jete më shumë se shifrat e mesatares ndër vite. Dy vite më parë numërohen 27 mijë të vdekur, ndërsa në 2021-shin plot 30 mijë. Ekspertët e shëndetësisë dhe statistikave ja faturojnë këtë rritje vdekjesh COVID- 19 dhe pasojave që lë në shëndet.
Shifrat zyrtare të COVID-it të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë, flasin për rreth 3 500 persona që kanë humbur jetën nga virusi në këto dy vite. Por në këtë periudhë, pra në vitet 2020 dhe 2021, ka pasur 15 mijë vdekje shtesë ose thënë ndryshe, katër herë më shumë se bilanci i COVID i deklaruar zyrtarisht. Kjo shifër është jashtë çdo mesatareje vjetore që ka përjetuar deri më tani vendi ynë. Shifrat janë në përmasa të konsiderueshme, duke lënë dyshime të forta se jetët e humbura i atribuohen situatës së krijuar nga pandemia edhe pse nuk u deklaruan si të tilla.
Mjekët argumentojnë se një numër kaq i lartë humbje jetësh, lidhet ngushtësisht me menaxhimin që Ministria e Shëndetësisë i ka bërë situatës së pandemisë në vend.
Në vendin tonë pati një kakofoni të vërtetë përsa i përket protokollit të mjekimit. Përveç poliklinkave të lagjeve që ndiqnin udhëzimet standard, mjekët e QSUT-së apo klinikave private përshkruanin receta të larmishme. Një pjesë e ilaçeve madje hynë kontrabandë në vendin tonë, pasi nuk ishin në listën e lejuar nga qendra e kontrollit të barnave. Ky dyshim i asaj kohe, u vërtetua më pas edhe me arrestime të një rrjeti farmaceutik që fuste ilaçe kontrabandë në Shqipëri në kohën e pandemisë. Absurdi mbërriti deri aty sa recetat dhe mjekimet shpërndaheshin me mesazhe në telefon nga mjekët. Madje në shumë raste emrat e ilaçeve kalonin nga një pacient tek tjetri, pa konsultë mjekësore dhe jashtë çdo kontrolli nga institucionet e shëndetësisë.
Një raport i Komisionit Europian i publikuar në vitin 2021 tregoi se Shqipëria kishte shtesën e vdekjeve në vitin 2020 më të lartën në Europë, si pasojë e përhapjes së pandemisë.
 
LEXONI GJITHASHTU:

Unpublished l A është i sigurt investimi në kriptomonedha?
Privatët kryen 380 mijë testime COVID, nga Shqipëria dolën 9,6 milionë udhëtarë
The post Shqipëria tejkalon mesataren e vdekshmërisë në 2 vite pandemi first appeared on Euronews Albania.

Leave a Reply

Your email address will not be published.