November 29, 2021
Shpërndaje lajmin

Gjykatat shqiptare kompensuan mbi 520 vite ‘burgim të padrejtë’ me një faturë financiare prej 343 milionë lekësh për pesë vitet e fundit – shifra që sipas ekspertëve zbulojnë problemet e thella të zbatimit të politikës penale në Shqipëri.     

Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN.

Haki Hasanbega, oficer policie prej 22 vitesh, e gjeti veten në anën tjetër të barrikadës mbrëmjen e 2 shkurtit 2017, kur u arrestua si i dyshuar për favorizimin e një grupi kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas goditjes së një grupi kriminal në zonën e Tepelenës në jug të Shqipërisë –ku kishte mbajtur postin e shefit të komisariatit.

Nisur nga përgjimet telefonike, Hasanbega u akuzua për vepra të rënda penale si kultivimi i bimëve narkotike dhe grupit të strukturuar kriminal. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda dështoi t’i provonte akuzat dhe pas një transferimi në Prokurorinë e Vlorës, çështja u pushua tetë muaj më vonë.

I liruar nga qelia dhe akuzat, Hasanbega u kundërpërgjigj me një padi për ‘burgimit të padrejtë’ dhe fitoi një kompensim prej 420 mijë lekësh nga Gjykata Administrative e Vlorës në mars të vitit 2018.

Tre vite më vonë, ai thotë se nuk e ka marrë ende kompensimin, pasi vendimi u apelua nga Ministria e Financave.

“Ka një përllogaritje të ditëve që unë kam qëndruar në burg dhe për këtë është vendosur një kompensim. Ndërsa dëmi psikologjik dhe ai moral karshi meje dhe familjes sime, as që është marrë parasysh,” tha Hasanbega për BIRN.

Ish-oficeri i policisë është vetëm një nga qindra qytetarët shqiptarë që ngritën padi për ‘burgime të padrejta’ dhe fituan kompensime në gjykatë përgjatë viteve 2015-2020.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjykatat kompensuan mbi 190 mijë ditë ose 522 vite në total si “burgim të padrejtë” – me një faturë financiare prej 343 milionë lekësh [2.8 milionë euro] përgjatë pesë viteve të fundit.

Ministria e Financave i tha BIRN se kishte disbursuar 323 milionë lekë ose 95% të shumës në të njëjtën periudhë, ku vlera më e lartë e kompensimeve i përket vitit 2018.

Sipas Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, shifrat ekspozojnë problemet e zbatimit të politikës penale në Shqipëri –një ndër vendet me numrin më të lartë të personave të paraburgosur në popullatën e vet të burgjeve.

“Mesatarja europiane e të paraburgosurve është 20 për qind, në vendin tonë është mbi 50 për qind dhe kjo është një e dhënë që krijon një problem jo të vogël,” tha Ballanca për BIRN.

“Tregon qasjen dhe frymën që ka Prokuroria dhe gjykatat shqiptare për mënyrën e zbatimit të procedurës penale në Shqipëri,” shtoi ajo.

Krimet e drogës dhe zyrtarët publikë

Legjislacioni shqiptar e përkufizon ‘burgimin e padrejtë’ si një të drejtë kompensimi për personat që shpallen të pafajshëm, personat që u është pushuar çështja me vendim të gjykatës ose të prokurorit si dhe personat që janë mbajtur në burg përtej kohës së caktuar në vendimin e dënimit.

Prej miratimit të ligjit në vitin 2005, Shqipëria e shpaguan përgjithësisht një ditë burgim me dymijë lekë dhe një ditë paraburgim me tremijë lekë.

Pavarësisht vlerave të ulëta, sistemi shqiptar i drejtësisë krijon çdo vit me qindra raste dhe hapësira për ngritjen e padive të kompensimit për ‘burgim të padrejtë’.

Në raportin e fundit të Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit në vend theksohet se brenda vitit 2020 u pushuan 4647 çështje penale –duke shënuar një rritje me 53% të çështjeve të pushuara krahasuar me vitin 2019.

Ndërkohë, raporti vlerëson se 152 të pandehur u shpallën gjithashtu të pafajshëm nga gjykatat gjatë vitit 2020.

Për të analizuar rrethanat ligjore dhe barrën financiare të vendimeve të kompensimit, BIRN iu drejtoi kërkesa për të drejtë informimi gjashtë gjykatave administrative të shkallës së parë në vend dhe siguroi prej tyre 938 vendime në total për periudhën 2015-2020.

Nga këto, mbi shtatëqind çështje janë fituar nga paditësit, ndërsa një pakicë prej rreth dyqind çështjesh janë humbur prej tyre.

Gjykata me numrin më të madh të vendimeve për kompensim të burgimit të padrejtë është Gjykata Administrative e Tiranës me 52% të totalit të çështjeve. Kjo gjykatë kompensoi mbi 85 mijë ditë burgu në pesë vitet e fundit me një vlerë financiare prej 164.7 milionë lekësh në total.

Gjykata Administrative e Vlorës mban vendin e dytë me mbi 44 mijë ditë burgu të kompensuara në një vlerë totale prej 64.9 milionë lekësh në periudhën 2015-2020.

Pjesa tjetër e vendimeve të kompensimit ndahen mes Gjykatave Administrative të Durrësit, Gjirokastrës, Korçës dhe Shkodrës.

Mes vendimeve të kompensimit, BIRN identifikoi mbi 21 vepra penale për të cilat ishin akuzuar paditësit, ndërkohë që në 236 vendime të analizuara mungonte informacioni për akuzat.

Të dhënat tregojnë se numri më i madh i personave të kompensuar kanë qenë të akuzuar për krime në fushën e drogës, të tilla si prodhimi, shitja apo trafikimi i lëndëve narkotike.

Nga 938 çështje në total, 133 vendime ose 15% e rasteve të kompensimit për ‘burgim të padrejtë’ i përket akuzave të ngritura në fushën e narkotikëve.

Me një diferencë të vogël, në vendin e dytë renditen krimet ku përgjithësisht përfshihen zyrtarët publikë, të tilla si korrupsioni, shpërdorimi i detyrës apo ndikimi i paligjshëm. Në pesë vitet e fundit, gjykatat kanë kompensuar 132 raste nga kjo kategori akuzash.

Ndërkohë, kategoria me numrin më të ulët të kompensimit për burgim të padrejtë i përket akuzave për ‘grup të strukturuar kriminal’ apo “organizata kriminale”; nga të cilat janë kompensuar vetëm 11 raste në pesë vitet e fundit.

Fatura e dështimit të hetimeve   

Pajtim Myrtollari ishte një personazh i njohur për institucionet e drejtësisë në Korçë, pasi si militant politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ai ishte arrestuar në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe 2017 me akuza për blerje votash.

Në vitin 2013, Myrtollari fitoi pafajësinë për shkak se provat e prokurorisë u konsideruan të pamjaftueshme.  Historia u përsërit më 25 qershor 2017, kur Myrtollari u arrestua në flagrancë me lista zgjedhësish, numra kontakti dhe një shumë parash në makinë. Por Prokuroria dështoi sërish që të faktonte akuzat dhe çështja penale u pushua me vendim të Gjykatës së Apelit.

Pas pushimit të akuzave, Myrtollari iu drejtua Gjykatës Administrative të Korçës me një padi për kompensim të burgimit të padrejtë dhe në shtator 2018 përfitoi një kompensim prej 90 mijë lekësh për tridhjetë ditët e kaluara në paraburgim.

Rasti i Myrtollarit përfaqëson një ndër kategoritë më të mëdha të vendimeve për kompensim të burgimit të padrejtë, të cilat i faturohen dështimit të prokurorisë në Shqipëri për të faktuar akuzat që ngrihen në fazat paraprake të hetimeve.

E pyetur për efektivitetin e ndjekjes penale në Shqipëri, Prokuroria e Përgjithshme e drejtoi BIRN tek raportet e veta vjetore për gjendjen e kriminalitetit. Ajo theksoi gjithashtu se sipas legjislacionit të ri të miratuar në kuadër të reformës në drejtësi, institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka kompetenca për vlerësimin e çmuarjes së provave apo ndërhyrjen në hetime të nisur nga një prokurori e shkallës së parë.

“Ligji njeh pavarësisë procedurale të prokurorëve gjatë hetimit dhe përfaqësimit të akuzës në gjyq,” tha Prokuroria e Përgjithshme.

Për aktorët e tjerë të sistemit të drejtësisë, numri i lartë i kompensimeve vjen si pasojë e aplikimit të dendur të masave të arrestit me burg, edhe në rastet kur provat mungojnë.

Avokati Julian Kola, i cili ka përfaqësuar disa padi për kompensim të burgimit të padrejtë, i tha BIRN se Shqipëria nuk ndjek praktikën europiane – ku arresti me burg konsiderohet si masa e fundit ekstreme.

“Në Shqipëri ndodh e kundërta, me vrap ta çojmë në burg dhe pastaj ta hetojmë,” tha ai.

Një tjetër faktor sipas tij është edhe paaftësia.

“Nëse një qytetar mbahet në burg për njëfarë kohë dhe më pas merr pafajësinë, në një farë forme kjo vjen edhe si paaftësi e shtetit që një kohë të caktuar të zbardhë të vërtetën,” shtoi Kola.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca shprehu shqetësimin se reforma në drejtësi e ka ashpërsuar më tej politikën penale në vend, ndërsa prokurorët po kërkojnë masa më të rënda paraburgimi dhe gjykatat po i mbështesin ato.

Ballanca apelon për masa alternative penale për të pasur një nivel më të mirë të drejtësisë në Shqipëri.

“…duhet të përmirësohen magjistratët në mënyrën e zbatimit të ligjit dhe një kuptueshmëri më të mirë të fakteve se një person i padënuar më parë, pa provat e mjaftueshme për një akuzë penale, duhet ta presë vendimin përfundimtar si një person i lirë,” tha ajo.

Ligj i varfër  

Në zyrën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, KSHH mbërrijnë çdo vit ankesa nga të dënuarit për dinamikën e vuajtjes së dënimit apo zvarritjen e proceseve gjyqësore për kompensimin e burgimit të padrejtë.

Drejtoresha e KSHH, Erida Skëndaj i tha BIRN se klinika e tyre ligjore kishte trajtuar disa raste gjatë vitit të fundit, por veçoi kalvarin e dy personave që vuajtën një dekadë në burg përpara se çështja e tyre të pushohej, pasi nuk u provua fajësia.

Prej vitit 2016, ata ndodhen në një betejë të re gjyqësore për kompensimin e burgimit të padrejtë, pasi Apeli vendosi të reduktojë masën që ata fituan në shkallë të parë.

Sipas Skëndajt, ligji shqiptar për kompensimin nuk merr parasysh pasojat e shkaktuara, ndërsa tarifat maksimale nuk reflektojmë më as standardin e jetesës dhe as zhvillimin ekonomik të vendit.

“Si një nga avokatet mbrojtëse të çështjes penale…mund të them se asnjë masë kompensimi nuk e riparon plotësisht dëmin që kanë pësuar si rezultat i kufizimit të lirisë në një moshë shumë të re dhe as mundet t’i rikthejë pas në kohë në kushtet e lirisë,” tha Skëndaj.

Valbona Treska, presidente e Urdhrit të Psikologut i tha BIRN se burgimi i padrejtë shkakton pasoja të rënda psikologjike dhe morale, ndërsa e kritikoi ligjin që nuk i merr parasysh ato.

“Problemi më i madh tek burgimi i padrejtë është se ty të zhbëhet e gjithë jeta jote në pak minuta. Ti vuan një dënim që je i bindur se nuk ke faj, ndërkohë duhet t’u tregosh edhe të tjerëve… se nuk ke të bësh me atë krim për të cilën je akuzuar,” tha Treska.

Si psikologe, Treska thotë se ka trajtuar raste që kanë vuajtur si pasojë dëmtimin e marrëdhënieve familjare, apo disa zyrtarë nga Kukësi, që pas arrestimit dolën të pafajshëm dhe fituan kompensim.

“Njëri prej tyre më tha se do të kisha dhënë gjithë pasurinë, çfarë kam, që të kthehesha një ditë para arrestimit,” tha ajo, ndërsa shtoi se ai ishte larguar më pas nga Shqipëria për shkak të paragjykimeve.

Edhe avokati Julian Kola e konsideron ligjin e vitit 2005 si shumë të varfër, por thekson se një problem tjetër madhor është zvarritja e proceseve të kompensimit nga gjykatat.

Kola u ankua gjithashtu se shteti shqiptar ndjek standarde të dyfishta për konvertimin e një dite burgu dhe për kompensimin e saj.

“Shteti tregon muskujt dy herë; së pari kur dënon dhe mban në burg padrejtësisht dhe së dyti me masën e kompensimit dhe të konvertimit të dënimit,” tha Kola.

“Qytetari i drejtohet gjykatës për të fituar një të drejtë dhe jo për të marrë mëshirë,” përfundoi ai.

 

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *