Shqiptari në Kanada: Temperaturat shkuan deri në -42 gradë, zgjati rreth një javë
Aktivisti shqiptar që jeton në Kanada, Nador Bakalli, ka treguar se temperaturat në disa rajonë të vendit kanë shkuar në -42 gradë celcius.
Komentet Bakalli i bëri në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews, ku tha se këto temperatura të ulëta zgjatën për rreth një javë.
Ai tha gjithashtu se ka disa qytete në Kanada që përballen me një nivel të lartë të dëborës, e cila sipas tij shkon edhe në 40 centimetër.
“Temperatura -42 gradë në një zonë të Kanadasë ka zgjatur gati një javë. Zakonisht kur temperaturat janë shumë të ulëta, nuk kemi shumë dëborë. Kemi probleme me ngricat, me akullin, të ngrirjes së tubacioneve të ujërave, toka nuk shkrin dhe nuk thith mirë ujërat, pra probleme infrastrukturore.
Më në Perëndim të Kanadasë ka pasur probleme me dëborë, ku ka pasur 40 centimetra dëborë në pak ditë.
Mbaj mend që një dimër ka qenë shumë i ftohtë këtu, por ka një të mirë që kur janë temperaturat shumë të ulëta, këtu shoqërohet me diell, pra e balancon pak. Atëherë ra rreth 40 cm borë, imagjino të hapësh derën dhe të gjesh deri në mes të trupit tënd borë”, tha Bakalli.