Shtohen rastet me COVID-19 te Lushnja, frikë edhe për trajnerin Gjyla

Share

Shtohen rastet me “COVID-19” te Lushnja. Pas kapitenit Dionis Musaku dhe mbrojtësit Adriatik Basha, pozitiv del edhe mesfushori Aldo Qoshku. Lajmi i vetëm i mirë vjen për mesfushorin Fabian Blakçori, i cili ka rezultuar negativ dhe do të jetë gati për derbin që luhet sot në “Roza Haxhiu” me Tomorin.

Është vetë Ardi Prifti, mjeku fizioterapist që qartëson situatën para derbit për “Panorama Sport”: “Erdhi mbrëmë përgjigjja e tamponit për dy futbollistët e tjerë. Aldo Qoshku ka dalë pozitiv, ndërsa Fabian Blakçori ka rezultuar negativ”.

E megjithatë, frikë ka edhe për trajnerin. Ilir Gjyla nuk e ka drejtuar stërvitjen e djeshme dhe ka gjasë që të mos jetë sot në pankinë kundër Tomorit. Tekniku ka pasur probleme shëndetësore, por në vazhdim do të mësohet më shumë. Gjatë këtyre ditëve ai është ndihmuar prej trajnerit të U-19, Judmir Gazheli, i cili për gazetën qartëson se kanë kërkuar edhe shtyrjen e javës së 3-të.

“Ne kërkuam dhe tentuam për ta spostuar ndeshjen, duke parë që kemi shumë mungesa edhe nga traumat, siç janë dëmtimet e Luis da Silvës dhe Arbër Mones, por edhe nga problemi i pandemisë. Kjo me Tomorin është përballje e rëndësishme dhe që duhet vlerësuar në maksimum. Duke pasur parasysh që një pjesë e mirë e kontingjentit të kundërshtarëve janë ish-lojtarët tanë, do vigjilencë.

Gjithsesi, ne do të bëjmë maksimumin për të rrëmbyer pikët e plota. Unë kam punuar me skuadrën gjatë kësaj jave të dytë të përgatitjeve, në bashkëpunim me planin e profesor Ilir Gjylës. Shpresojmë që çunat të japin më të mirën, pavarësisht situatës ku ndodhemi”, përfundoi trajneri i U-19, i cili pritet të drejtojë ekipin e madh sot.


Share

Komente