November 29, 2021

Shtyhet me taktika mbledhja e komisionit hetimor për “zgjedhjet”

Shpërndaje lajmin

Deputetët demokratë akuzuan socialistët për bojkot të qëllimshëm të komisionit hetimor, ndërsa zv.kryetari socialist i komisionit tha se data e mbledhjes nuk ishte e miratuar dhe se ata kishin planifikuar takime me elektoratin.

Deputetët e opozitës në komisionin hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. 

Mungesa e anëtarëve të mazhorancës bëri që të dështonte mbledhja e dytë e Komisionit Hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Taktikat proceduriale për datën dhe orën u kthyer në një përplasje politike.

Mbledhja e dytë e komisionit parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit dështoi të zhvillohej të mërkurën për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm. Deputetët e mazhorancës që kanë shumicën e anëtarëve në komision mungonin, ndërsa kryetari Enkelejd Alibeaj dhe deputetët e tjerë të opozitës ishin të pranishëm.

Alibeaj e konsideroi të qëllimshme mungesën e deputetëve socialistë dhe akuzoi mazhorancën për bojkot të punës së Kuvendit.

“Në bazë të ligjit, mbledhjet thirren nga kryetari i komisionit. Duke vazhduar në vazhdën pozitive të mbledhjes së parë, në konsultim me Toni Gogun, që është zv.kryetar i komisionit, i kam komunikuar që mbledhja pasardhëse, e sotmja, do të ishte me datën 20 Tetor. Datë e cila u kërkua prej tyre në orën 15:00,” tha Alibeaj.

Ai njoftoi një mbledhje tjetër për ditën e premte, ndërsa paralajmëroi se nëse anëtarët e mazhorancës nuk paraqiten në 3 mbledhje radhazi, ai do të ushtrojë të drejtën që i jep ligji për të kërkuar zëvendësimin e tyre.

Por zv/kryetari i komisionit, Toni Gogu i tha BIRN se mbledhja e së mërkurës nuk ishte miratuar nga komisioni dhe se ai kishte paraqitur si arsye për mungesën, takimet me elektoratin në kuadër të “Javës së gjelbër”.

Gogu tha gjithashtu se në një letërkëmbim të ditës së martë me Alibeajn, ai kishte kërkuar që mbledhja të zhvillohej të enjten.

“Në kushtet e pamundësisë së votimit nga komisioni i kësaj pike të rendit të ditës dhe njoftimit nga sekretaria në kohë të papërshtatshme dhe të padakordësuar, ndërkohë që kemi përcaktuar takime në zonat elektorale, ju propozoj të vazhdojmë mbledhjen ditën e enjte,” shkruante Gogu.

Për demokratët, mungesa e socialistëve ishte një bojkot i komisionit prej tyre.

“Bojkoti i Komisionit Hetimor për masakrën zgjedhore të 25 Prillit nga anëtarët e Partisë Socialiste është dëshmi e qartë e papërgjegjshmërisë së tyre në raport me interesin e qytetarëve,” shkroi Gazmend Bardhi në Facebook, duke publikuar edhe një foto me karriget bosh të kolegëve të mazhorancës.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *