Shumë lojtarë për vetëm 23 vende, Sylvinhos i vjen në ndihmë trajneri i Serbisë

0
Shpërndaje lajmin

Kualifikimi në Europian ishte një ëndërr e bërë realitet me kuqezinjtë që siguruan biletën si fitues të grupit në kualifikuese. Përgatitjet për aventurën gjermane kanë nisur prej muajsh me stafin teknik që ka ndjekur nga afër disa prej futbollistëve dhe do të vijojë ta bëjë deri në grumbullimin e parë.
Mirëpo, pasi u kalua edhe shorti i Nations League, përgatitjet tani nisin të intensifikohen. Lojtarët do të luajnë ndeshjet më vendimtare të sezonit me ekipet përkatëse dhe vëmendja është absolute e brazilianit dhe të besuarve të tij.
Në shërbim të Sylvinhos do të luhen edhe 5 miqësore, dy të parat tashmë publike, me Kilin dhe Suedinë më 21 dhe 25 mars, në Bologna dhe Stokholm. Testet miqësore do të shërbejnë për të finalizuar listën e lojtarëve për finalet e Euro 2024.
‘Halli’ më i madh për Sylvinhon dhe gjithë homologët e tij në këtë kompeticion është se do të jenë vetëm 23 vende për të mbushur, ndryshe nga Botërori dhe Europiani i fundit ku pamë një listë me 26 lojtarë. Në kualifikuese Sylvinho ka patur gjithmonë 25-26 lojtarë dhe përsëri kishte emra që mbeteshin jashtë, sidomos në repartin e sulmit.
Lidhur me këtë çështje është trajneri i Serbisë, Dragan Stojkovic i cili ka dërguar një letër zyrtare UEFA-s për të zgjeruar listën në 25 lojtarë. Kërkesa e Stojkovic nuk duhet nënvlerësuar pasi ishte pikërisht ky që i bëri të njëjtën thirrje FIFA-s për Botërorin dhe qeveria e futbollit e pranoi atë.
Në këtë nismë të tij, ai pritet të marrë mbështetjen e shumë prej homologëve të Kombëtareve të tjera. /newsport.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *