Shumë qytetarë të shëruar nga COVID19 po japin plazmën e gjakut në ndihmë të infektuarve

Share

Tash e disa javë Kosova ka filluar procedurën për grumbullimin e plazmës konvalescente nga personat të cilët e kanë kaluar sëmundjen COVID-19.

Institucionet shëndetësore, përmes një udhëzuesi kanë vendosur që të fillojë trajtimi i pacientëve të infektuar me koronavirus me plazmën konvalescente, si terapi mbështetëse.

Infektologu Sali Ahmeti, i cili është edhe kryesues i grupit punues për hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës konvalescente, thotë për Arbresh.info, se tashmë ka filluar procedura  për dhënien e plazmës konvalescente.

Sipas tij, sa më shpejt që jepet plazma, pritshmëria për efikasitetin e saj është më e madhe.

“Po në transfuzionin e gjakut ka filluar proceduara për grumbullimin e dozave që nga 2 shkurti. Deri më tani janë disa persona që janë lajmëruar. Do të bëjmë përvojat tona dhe disa nxjerrin efekte të mira e disa me efekte më të pakta. Sa më shpejt që jepet plazma, pritshmëria për efikasitetin e saj është më e madhe, pasi që kjo përmban antitrupa që e bëjnë neutralizimin e virusit në depërtimin e tij në receptorët e qelizave gjegjëse”, thekson Ahmeti.

Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut.

Sa i përket sasisë së grumbulluar të plazmës konvalescente, Bukurije Zhubi, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut (QKKTGJ), tha se deri më tani ka pasur interesim të kënaqshëm, për dhurimin e plazmës.

“Po procedura ka filluar deri në këto momente ka pasur interesime të kënaqshme nga qytetarët për dhurimin e plazmës konvalecente, shpresojmë që në ditët në vijmë të ketë interesim edhe më të lartë”, ka thënë shkurt ajo për Arbresh.info.

Ndryshe, trajtimi i pacientëve me COVID -19 me plazmë konvalescente bëhet duke marrë plazmën e gjakut nga pacientët e shëruar nga koronavirusi, pasi që gjaku i tyre ka antitrupa që luftojnë virusin./A.Zeka/arbresh.info/

 


Share

Komente