Si duket Kosova në sytë e një japonezeje?

Shpërndaje lajmin

Qen rruge, burra me mjekër dhe monumente lufte. Kur profesoresha Keiko Wells vizitoi Prishtinën, ajo gjeti një qytet të çuditshëm, por mikpritës, i cili i risolli asaj në mendje kujtime mbi ndikimin që pati lufta te familja e saj në Japoni.

Mëngjes në Prishtinë. Foto: Flickr/Jeffrey Beall

Dita e parë e qëndrimit tim tre-javor në Prishtinë ishte e bukur. Malet ishin të gjelbra, qyteti i vjetër ekzotik, bulevardi kryesor ishte i mbushur me njerëz, akullorja ishte e shijshme dhe kafeja nuk ishte e shtrenjtë.

Dita e dytë, megjithatë, ishte një sfidë. Doja të shkoja në një dyqan ushqimesh për të marrë disa mollë dhe banane, por sapo dola në rrugë, u frikësova nga dy gjëra: qentë dhe makinat. Nuk kisha parë qen që jetonin në rrugë, prandaj kisha shumë frikë t’u kaloja pranë. Por pas një dite u mësova me ta, duke vërejtur që ata ishin të vetë-kënaqur dhe se nuk i bezdisnin aspak njerëzit.

Nga ana tjetër, m’u desh më shumë se një javë që të mësohesha me trafikun. Në Japoni ka semaforë në të gjitha rrugët me shumë trafik. Nuk dija si të rrezikoja jetën duke kaluar rrugën, ndërkohë që shumë makina kalonin me vrull të madh.

Por këmbësorët lokalë mund t’i ndalonin makinat duke u futur në mes të trafikut. Shoferët u binin borive për t’u ankuar, për të përshëndetur dikë ose për të komunikuar, diçka që nuk munda ta kuptoja kurrë.

Megjithatë, pas një jave mësova si ta kaloja rrugën. Në fillim më habiti trafiku pa semaforë, por mbijetova.

Pra, si ishte të ishe një japoneze në Kosovë?

Ura mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën në dy pjesë. Foto: Wikipedia.

Plot me burra. Kjo ishte përshtypja ime e parë e qytetit. Grupe burrash duke pirë kafe, duke shëtitur nëpër rrugë, duke biseduar me njëri-tjetrin… Nuk shoh aq shumë burra në grupe gjatë ditës në Kioto, ku jetoj unë.

Burrat kosovarë kanë mjekër. Në fakt, janë shumë simpatikë dhe duken të vrazhdë.

Zakonisht janë të veshur me rroba të zeza ose me ngjyra të errëta, apo jo? Madje, për shkak të rrobave, duken edhe më të ashpër.

Kur hyja në ndonjë restorant, në çfarëdo restoranti, grupe burrash me mjekër më shikonin thjesht sepse isha ndryshe. Sigurisht që nuk e dallonin dot nëse isha japoneze apo kineze. Nuk kishte rëndësi. Ishte paksa e frikshme për mua të më shikonin burra me mjekër. (Burrat japonezë zakonisht nuk mbajnë mjekër.)

Pata rastin të flisja me disa burra me mjekër dhe doli se ata nuk ishin aspak të frikshëm, por shumë të sjellshëm.

Një ditë shkova në qytetin e Mitrovicës. Pas një ore rrugë me makinë nga Prishtina, para meje u shpalos një peizazh i bukur i mbushur me lëndina dhe shtëpi me tjegulla portokalli. Pashë male me majat e mbuluara me dëborë në jug dhe shpate të buta kodrash të gjelbra në lindje. Fushat e mbjella dhe lopët më bënë të ndieja pak mall për Japoninë.

Vizituam Muzeun e Qytetit të Mitrovicës, ku kuratorja na shoqëroi dhe na tregoi muzeun.  Prej saj, mësova se gjatë luftës ishin shkatërruar dhe kishin humbur shumë gjëra dhe se ishte “dashuria e madhe” e kuratorëve që bëri të mundur që muzeu të mund të hapej përsëri për publikun.

Ishin ata që mblodhën, pastruan, rregulluan dhe ekspozuan materialet. Ata kishin bërë gjithashtu edhe punë karpentieri. Në fund të turit në muze, pashë një seri fotografish të shkrepura fshehurazi nga një fshatar gjatë luftës. Në to pashë shtëpi të djegura dhe fytyra njerëzish pa asnjë shprehje në to.

Kishte një fotografi në të cilën trupi i një njeriu të djegur ishte vendosur para shtëpisë së tij të shembur. Të copëtonte shpirtin. Duhet ta pranoj se për disa ditë me radhë nuk mund të flija. U luta shumë herë që trupi i tij të prehej në paqe.

Për çfarë mendoja në Kosovë?

Memoriali i UÇK-së , rruga Fehmi Agani, Prishtinë, Kosovë. Foto: Wikimedia/Andy Mabbett

Një mëngjes eca drejt Bulevardit “Nënë Tereza” dhe gjeta një pllakë me 42 emra të vendosur në murin e një ndërtese në Rrugën “Fehmi Agani”. Ajo tregonte vitin e tyre të lindjes dhe të vdekjes. Ngriva kur pashë që të 42 kishin vdekur në vitin 1999.

Pastaj fillova të kërkoja më shumë mbishkrime dhe monumente përkujtimore në qytet. Po, kishte shumë të tillë, madje edhe në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Edhe në Japoni ka monumente përkujtimore. Sidomos në fshatrat rurale, ka monumente nga luftëra të ndryshme. Por nuk u kisha kushtuar ndonjë vëmendje të rëndësishme, ndoshta se ndieja se luftërat i përkisnin të kaluarës. Gabohesha.

Babai im ishte fëmija i fundit i tetë vëllezërve dhe motrave, dhe gjashtë nga vëllezërit e motrat e tij kishin humbur jetën në luftë. Edhe nëna e tij po ashtu.

Babai im më tregonte se ai kishte vrapuar përmes qytetit që digjej kur Tokio u bombardua në fund të Luftës së Dytë Botërore. Ai pa shumë njerëz të hidheshin në lumë, uji i të cilit vlonte për shkak të bombave.

Historitë e tij m’u kthyen në mendje ndërsa isha në Prishtinë. Fëmijët e mi nuk i dinë përvojat e kohës së luftës të gjyshit të tyre. Ne duhet t’i ruajmë përvojat e të kaluarës sonë të vështirë për brezat e ardhshëm në mënyrë që ata të bëjnë përpjekjet më të mira për ta mbajtur botën në paqe.

Këtu duhet të shtoj se lidhja e Kosovës me Japoninë nga përvojat e luftës nuk është e kufizuar vetëm te kujtimet tragjike. Në të vërtetë është më pozitive.

Gjatë kohës që qëndrova në Prishtinë, m’u kujtua se sa shumë japonezët donin ta bënin vendin e tyre një vend të ri dhe të mirë pas shkatërrimit kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Pati shumë ndërtime dhe pamja filloi të ndryshonte shpejt. Makina që shtoheshin çdo vit dhe kishte shumë shpresë dhe energji për një të ardhme më të mirë në vitet 1950 dhe 1960.

Në Kosovë, “dashuria e madhe” e kuratorëve në muzeun e Mitrovicës mbase përfaqësonte një ndjenjë po aq pozitive.

Pra, cila ishte gjëja më e mirë në Kosovë?

“Pse ke ardhur në Kosovë?” “Çfarë bën këtu?” ishin pyetjet më të shpeshta gjatë qëndrimit tim.

Njerëzit ishin shumë kureshtarë. Pse është kjo e huaj këtu? Çfarë pret ajo të gjejë në vendin tonë? Tani e dini shumë mirë se çfarë kam gjetur deri më tani: zbulime të çmuara. Por vërtet, pse erdha në Kosovë? Arsyeja e parë ishte që shoqja ime kosovare dëshironte shumë që unë të vizitoja vendin e saj.

Kështu që fillova të studioj pak për historinë e ndërlikuar të Ballkanit dhe kulturën e pasur shqiptare. Kam lexuar Edward Lear dhe Edith Durham. Lexova romanin “Si të jesh një nuse kosovare” dhe u ndjeva shumë e lehtësuar që nuk isha një e tillë.

Në Kosovë shëtita dhe udhëtova shumë, por gjëja më e bukur ishte koha që kalova me njerëzit. Ata më mësuan shumë për këtë vend dhe këtë kulturë. Çdo çast me ta ishte tepër special. Shpresoj të vij përsëri.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *