Si të kundërshtohen lajmet e rreme dhe teoricienët e konspiracionit në një kohë pandemie

Share

Nga Dorcha Lee “Brussels Times”

Diku në Afrikë ekziston një fis i largët dhe i izoluar, që mblidhet një herë në muaj për të shfryrë zemërimin ndaj Hënës së plotë. Gratë tundin grushtet ndaj saj,ndërsa burrat gjuajnë me shigjeta në drejtim të diskut të madh prej argjendi me që duket sikur ka një fytyrë njerëzore.

Synimi është të paralajmërojnë Hënën, të cilën ata e konsiderojnë si një qenie të ndjeshme dhe kërcënuese, që të mos guxojë të zbresë në Tokë. Fisi në fjalë beson se rituali i tyre mujor e ka shpëtuar botën nga katastrofa. A e besoni ju këtë histori?

Si do t’i qëndronte ajo kontrollit të fakteve? Dhe ky kontroll faktesh, bëhet duke përdorur praktikat më të mira gazetareske. Ai nuk është shumë larg metodologjisë së përdorur nga ushtria për t`a shndërruar informacionin në një informacion të inteligjencës ushtarake.

Pyetja e parë që duhet të bëhet, është ajo në lidhje me burimin e informacionit, dhe cila është ‘agjencia’ që po e raporton historinë. Besueshmëria ime si “agjenci”që e rrëfen historinë mund të duket “ok” në fillim të kësaj analize.

Rekordi im mbi historitë e tjera supozohet se është i besueshëm, ndërsa unë nuk kam asnjë përvojë personale që mbështet të vërtetën e vetë historisë. Po në lidhje me burimin tim? Problemi është se nuk mund t`a kujtoj se ku e kam lexuar historinë, në ndonjë artikull apo diku tjetër, shumë vite më parë.

Pyetja e dytë që duhet të shtrohet, ka të bëjë me vetë historinë. A është ajo e besueshme? Paqartësia e historisë, e minon besueshmërinë e saj. Afrika është një vend vërtet i madh. Mund të ketë shumë fise të izoluara, por pa informacione më të sakta mbi vendndodhjen e këtij fisi është e pamundur të kontrollohet fakti.

Gjithsesi, nëse në vend të Afrikës, unë do të sugjeroja që rituali të zhvillohej në Kilkenni të Irlandës, kontrollori i fakteve do të ishte në gjendje të vërtetonte të vërtetën ose trillimin e historisë. Fiset e njohura të izoluara dhe të largëta në Kilkeni mund të identifikohen shumë më shpejt.

Pra këtu thelbi është e paqartësia, është një mjet i dobishëm në krijimin e lajmeve të rreme dhe, rrjedhimisht një pengesë për kontrollin e fakteve. Synimi i krijimit të lajmeve të rreme, është të ndikojë tek opinioni, fillimisht i individit, dhe tek e fundit i audiencës së synuar.

Ndarja e faktit nga trillimi, është një pjesë thelbësore e vërtetimit të së vërtetës. Kur mbështetemi vetëm në kujtesën e njerëzve, ekziston një problem shtesë. Kujtesa nuk bazohet plotësisht në fakte. Ajo është një përzierje e faktit dhe imagjinatës.

Në përgjithësi publiku ka burime të shumta informacioni, që e ndihmojnë atë të formojë mendimet. Ka pasur një periudhë kur media e shkruar ishte burimi kryesor. Në fakt, brezi i vjetër e mban mend mirë statusin e mbajtur nga gazeta e tyre e preferuar.

Shpeshherë herë një histori pranohej thjesht sepse dilte në shtyp. “Duhet të jetë e vërtetë, e lexova në gazetë!”-i vihej vula nje narrative si e vërtetë e konfirmuar. Ne në Perëndim ndjenim keqardhje për njerëzit e varfër që jetonin pas Perdes së Hekurt, mendimi i të cilëve u formua nga mediat e kontrolluara nga shteti.

Por pikëpamje të tilla zhdukeshin me shpejtësi, kur ndiqnim një kurs në Kolegjin Ushtarak Irlandez në kulmin e Luftës së Ftohtë. Instruktori, një folës i rrjedhshëm i rusishtes, u kthye në dërrasën e zezë dhe shkroi me shpejtësi dy fjalë në alfabetin cirilik:“Pravda” që do të thotë e vërteta, dhe Izvestia që do të thotë lajme. Këto i dinim se ishin dy pikat kryesore të kontrolluara nga shteti për informacionin e shtypur të disponueshëm në Bashkimin Sovjetik.

“Çdo moskovit e di që nuk ka asnjë të vërtetë tek Pravda dhe asnjë lajm tek Izvestia”- na tha ai. Duke shtuar se gazetat në Bashkimin Sovjetik lexoheshin kryesisht për të ditur qëndrimet e Partisë Komuniste mbi ngjarjet aktuale, në vend se të ishin shtylla kryesore e formimit të opinionit publik.

Një nga paradokset e periudhës post-sovjetike, është që njerëzit në Rusi i besojnë më lehtë mediat shtetërore tani sesa gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, edhe pse media e kontrolluar nga shteti po kryen akoma në thelb të njëjtin funksion.

Për shembull, pas 10 ditëve të luftës Rusi-Gjeorgji në gushtin e vitit 2008, propaganda arriti rekorde të reja në të dyja anët, dhe vazhdoi edhe për shumë kohë pas përfundimit të konfliktit. Ndikimi i mediave të kontrolluara nga shteti rus, ishte aq i madh sa që në një sondazh të kryer një vit më vonë(në Moskë dhe rrethina), shumica e rendiste si kërcënim më të madh për Rusinë Gjeorgjinë, dhe jo SHBA-në.

Lajmet e rreme promovojnë tani teori konspirative, të cilat synojnë shpesh destabilizimin e opinionit publik dhe minimin e besimit të publikut në udhëheqjen e tij. Pavarësisht përparimeve në arsim, shpërthimit të mediave sociale dhe internetit, njerëzit mund të jenë sërish po aq syleshë si kurrë më parë.

Ndaj ndërsa duhet të jenë të lirë të besojnë atë që dëshirojnë, nuk duhet t’u jepet liria për të rrezikuar jetën e njeriut duke përhapur gënjeshtra në lidhje me pandeminë aktuale. E drejta e lirisë së fjalës, nuk është kurrë absolute. Ndërkohë, kontrolli i fakteve dhe ekspozimi i lajmeve të rreme është thelbësor, për t’iu kundërvënë keq-informimeve nga anarkistët dhe kundërshtarët e vaksinave,të prirur për të minuar sistemet tona të shëndetit publik. Dhe mos thoni që nuk ju paralajmërova!/CNA.al

https://www.brusselstimes.com/opinion/149111/countering-fake-news-and-conspiracy-theorists-in-a-time-of-pandemic/


Share

Komente