January 23, 2022

Siguria në stadiume, ekspertët e UEFA-s në Tiranë për vizitë inspektuese

Shpërndaje lajmin

Përgatitjet për finalen e madhe të UEFA Europa Conference League, që luhet në Tiranë më 25 maj 2022, kanë sjellë në Tiranë këto ditë një grup ekspertësh të UEFA-s, që janë përgjegjës për çështjet e sigurisë. Në përbërje të delegacionit janë ekspertët e UEFA-s për sigurinë, Lukasz Nalewaj dhe Stephen Thomas si edhe Adrian Dinca, Kryetar i Grupit të Ekspertëve të Sigurisë në Këshillin e Evropës.

Qëllimi i vizitës disa ditore është takimi me drejtuesit e disa institucioneve kyçe për rendin dhe sigurinë, roli i të cilave do të jetë themelor në organizimin e finales së majit të UEFA Conference League. Ky grup ekspertët do të organizojë në vazhdim tre nivele trajnimesh gjatë kësaj vizite inspektuese. Trajnimi i parë është për steward-ët, trajnimi i dytë është për shërbimet e përbashkëta ku përfshihen FSHF, klubet, stadiumi, policia, shërbimi zjarrfikësve dhe shërbimi mjekësor, ndërsa trajnimi i tretë është trajnimi për policinë e shtetit.

Pasi ka zhvilluar takimet me drejtuesit e kompanisë së sigurisë, delegacioni ka zhvilluar ndërkohë edhe një takim me drejtorin e Departamentit për Sigurinë Publike dhe Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi dhe Drejtori i Rendit Publik, Ylli Vasili. Në këtë takim është biseduar për organizimin e trajnimeve për Policinë e Shtetit, në lidhje me ndeshjet ndërkombëtare dhe masat e sigurisë edhe me punonjësit e sigurisë private. Gjithashtu, delegacioni i UEFA do të ndjekë nga afër edhe ndeshjen Tirana – Vllaznia, që do të luhet të shtunën pasdite në stadiumin “Air Albania”, për të vlerësuar dhe analizuar masat e sigurisë dhe problemet dhe mangësitë që do të konstatohen.

Në bashkëpunim me drejtues të Policinë së Shtetit do të shikohen dhe analizohen me shumë kujdes i gjithë procesi i aksesit në stadium, hyrje-daljet dhe kontrollet që bëhen për tifozët. Procesi i organizimit të finales së Conference League është kompleks dhe siguria është një ndër pikat më themelore të mbarëvajtjes së këtij eventi madhor për futbollin europian dhe atë shqiptar. /f.a/


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *