Simbole të Wagner-it shihen në protestën e të djathtëve serbë në Beograd
Nën sloganin “Jo kapitullimit” dhe thirrjeve “Kosova është Serbi”, në Beograd të Serbisë më 17 mars u mbajt protesta kundër propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Një grup personash të maskuar, disa prej të cilëve kishin të veshura rroba me simbole të formacionit paramilitar rus, Wagner, mbajtën një mbishkrim ku thuhej: “Populli dhe kisha në mbrojtje të shtetit, kundër tradhtisë, kjo është zgjidhja e vetme”, shkruan REL.
Protesta u mbajt një ditë para se kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Disa mijëra persona, me ftesë të partive parlamentare të krahut të djathtë, u mblodhën para Kishës Shën Sava, prej ku vazhduan marshin drejt Presidencës së Serbisë.
Protestuesit brohoritën slogane të ndryshme sikurse “Ne nuk do ta japim Kosovën, “Kosova është Serbi” teksa folësit iu adresuan turmës para monumentit të Carit rus Nikolla II, që gjendet përballë ndërtesës së Presidencës serbe.