Simbolet naziste së shpejti mund të ndalohen në Zvicër
Ndryshe nga shumë vende të tjera, Zvicra nuk e ndalon shfaqjen e simboleve naziste në publik. Kjo mund të ndryshojë së shpejti, pasi deputetët e Këshillit Kombëtar votuan këtë muaj në favor të një ndalimi të tillë, përcjell albinfo.ch.
Megjithatë, Zyra Federale e Drejtësisë sheh probleme në zbatimin e rregullit të ri.
Arsyeja është se lista e simboleve naziste është e gjatë, shpesh e përbërë nga numra ose shkurtesa, të cilat nuk janë aq të qarta për t’u identifikuar sa svastika.
Sipas Damir Skenderovic, profesor i Historisë Bashkëkohore në Universitetin e Freiburgut, një listë simbolesh që duhet të ndalohen duhet të bihet dakord përpara se ndalimi të zbatohet.
“Shumë kërkime po bëhen në këtë fushë, edhe në vende të tjera. Kjo punë përgatitore mund të përdoret për të ndaluar simbole të tilla në Zvicër”, tha ai.