Situata nga shiu/ Peleshi bën bilancin: Përmbytje në Shkodër dhe Lezhë, u evakuuan disa familje

Share

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka folur për gjendjen aktuale në vend, ku disa qytete janë përmbytur nga reshjet e shiut.

Peleshi tha se qarku i Shkodrës dhe Lezhës paraqesin situatë më problematike, ndërsa aktualisht ndodhet nën ujë fshati Obot.

Ai tregoi se janë kryer operacione për evakuimin e disa familjeve në Shkodër dhe Lezhë dhe sipas tij, nuk ka më familje të rrezikuara nga uji.

Janë përmbytur toka bujqësore kryesisht në Shkodër dhe Lezhë. Një pjesë e tyre e madhe janë joproduktive. Prej ditësh AKMC ka ngritur shtabe në çdo prefekturë dhe çdo bashki. Ka funksionuar në mënyrë shumë të mirë reagimi i pushtetit lokal. Gjatë ditës së sotme në Shkodër dhe Lezhë kemi kryer operacione për evakuimin e disa familjeve. Për këto prurje të shirave dhe këto nivele reshjesh, për shkak se kemi punuar gjatë këtyre viteve nuk jemi në gjendjen siç kemi qenë në vitet e kaluara.

Nuk kemi familje të rrezikuara nga uji. Në Shkodër kemi rritje të niveleve në Drin, Bunë, Gjadër dhe Kir. Fshati Obot si gjithmonë është rrethuar nga uji. Në dispozicion janë mjetet tona të ushtrisë ku janë transportuar 100 persona. Prurjet janë 10 herë më të mëdha se përdorimi i hidrocentraleve. Shkarkimet janë të moderuara deri tani”, u shpreh ai në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, teksa foli më tej me situatën në zona të tjera.

Kemi 3 izolime shtëpish në Vaun e Dejës por nuk ka nevojë për evakuim. Sa i përket Lezhës, janë evakuuar 2 familje. Niveli i ujit është shumë i lartë në lumenjtë Drin dhe Gjadër. Është ndërhyrë në argjinaturën e lumit Gjadër. Në Vlorë ka vetëm një shembje rruge në segmentin Borsh-Piqeras. Niveli i ujit te ura e Mifolit është 6.2 metër, kemi rënie të lehtë. Kuota aktuale në lumin Vjosë është në 5.4 nga 6.5 që është niveli alarmit. Në aksin rrugor Fier-Ballsh në vendin e quajtur kthesa e Visokës ka patur rrëshkitje dheu”, theksoi socialisti./ CNA.al


Share

Komente