Situatë kritike në fabrikën e bojrave, flakët po rrethojnë shtëpitë, dëgjohen shpërthime të njëpasnjëshme
Fabrika e bojërave “Deutsch Color” e cila ndodhet në Maminas, në autostradën Tiranë-Durrës është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme.
Zjarri ka marrë përmasa të mëdha për shkak të lëndëve kimike dhe shpërthimeve të njëpasnjëshme.
Sakaq, flakët kanë rrethuar një banesë që ndodhet në afërsi të magazinës e cila është përfshirë nga flakët.
Policia ka bllokuar lëvizjen e automjeteve në të dyja anët e autostradës dhe shoferët janë duke përdorur rrugë dytësore.
Edhe banorët e zonës janë evakuuar. Në afërsi të fabrikës janë edhe tre karburante.
Nga informacionet paraprake nuk raportohet për persona të lënduar.
Ndërkohë forca të shumta policie dhe zjarrfikëse ndodhen në vendin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Në autostradën Durrës-Tiranë, në Maminas, është përfshirë nga flakët një fabrikë bojrash.
Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Shërbime të shumta policie të DVP Durrës dhe grupe të FNSH Tiranë kanë evakuuar në një objekt, qytetarët që ndodheshin në lokalin afër fabrikës.
Në momentin që ka rënë zjarr, brenda në fabrikë nuk ka patur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës. Nga përhapja e flakëve nuk ka asnjë person të dëmtuar.
Për çështje sigurie do të bllokohet përkohësisht autostrada Durrës-Tiranë dhe lëvizja do të devijohet në rrugët dytësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
/Albeu.com