Skandal/ Gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar për pasuri e lidhje krimi; bëhen avokatë të kolegëve të tyre në “Veting”

Share

Apeli i Ambasadores së SHBA, Yuri Kim, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë e SPAK, kundër riciklimit brenda sistemit të drejtësisë së re, të ekzemplarërve korrupsionit e lidhjeve me krimin dhe sekuestrim-procedimin e tyre penal, sepse kështu e përcakton ligji

Në vendimet e KPK dhe KPA, dhënë për gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar me “Veting”, apo të dorëhequr nga frika e përballjes, thuhet se këta përjashtohen për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Por realiteti tregon, se ata nuk janë përjashtuar nga sistemi, përkundrazi janë përsëri pjesë e drejtësisë, me ndryshimin e vetëm, se atëherë e bënin vetë biznesin me dosjet, ndërsa tani e bëjnë hapur me kolegët e mbetur brenda sistemit

Po ndodh ky absurd: ONM-SHBA i nxorri nga dyert e KPK-KPA prokurorët dhe gjyqtarët e kallëpit “Donika Prela-Gjin Gjoni”, për korrupsion e lidhje me krimin; ndërsa Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma e Avokatisë, po i fusin nga “dritarja” me licensa avokatie. Me këtë status, ata kanë qenë dhe në 25 procese “Veting”-u në KPK, KPA e përballë OMN-SHBA-s, kapardisur si avokatë mbrojtës të kolegëve të tyre të shkarkuar për korrupsion e lidhje me krimin.  Janë 56 gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga “Veting”-u, të cilët janë licensuar “Avokat” menjëherë, me miratim të Ministrisë së Drejtësisë e leje profesioni nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Me kartonin “Avokat”, shkojnë në salla gjyqesh duke mbrojtur edhe kriminelë, trafikantë, biznesmenë e zyrtarë shteti, që kanë probleme me ligjin.
Disa prej tyre madje, i kanë patur subjekte hetimi e gjykimi kur kanë qenë në detyra, por nuk i kanë dënuar kundrejt pazareve, ndërsa tani i mbrojnë hapur, si biznesmenë të licensuar nga vetë shteti, që trumbeton se i ka përjashtuar 15 vite nga sistemi i drejtësisë.
Ky është realiteti absurd, madje tallës me shpresën e shqiptarëve për drejtësi të re, pa prokurorët dhe gjyqtarët e inkriminuar e të korruptuar të drejtësisë së vjetër, mirëpo ata kanë mbetur brenda sistemit si “ëngjëj mbrojtës” nëpër gjyqe.
Ndërkohë që ligji i “Veting”, për prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar me akuzat: “Pasuri të paligjshme e lidhje me krimin”, përcakton sekuestro e ndjekje penale, si gjithë shtetasit e tjerë që kanë këto akuza.

Këtë absurditet e karshillëk ndaj refomës në drejtësi, disa ditë më parë e bëri prezent dhe Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim; e cila i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë, që prokurorëve e gjyqtarëve të shkarkuar, t’u heq lejet e “Avokat”, ndërsa SPAK-ut i kërkoi të fillojë hetimet penale ndaj tyre.
Sepse edhe ligji e përcakton kështu: Mbi bazën e provave që kanë relacionet e “Veting”; 24 orë pasi vendimet e KPK-KPA marrin formë të prerë, SPAK fillon procedimin penal ndaj tyre, për pasuritë dhe lidhjet me krimin. /Pamfleti

The post Skandal/ Gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar për pasuri e lidhje krimi; bëhen avokatë të kolegëve të tyre në “Veting” appeared first on Media .


Share

Komente