January 18, 2022

Skandali i inceneratorëve, Lefter Koka mbetet në burg

Shpërndaje lajmin

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në aferën e incineratorit të Elbasanit, ndërkohë që avokatët deklaruan se ai është i pafajshëm.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të enjten të pranojë kërkesën e prokurorisë për të vazhduar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj ish-Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka i arrestuar të martën më 14 dhjetor në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të incineratorit të Elbasanit.

Gjatë seancës për vleftësimin e masës së sigurisë të caktuar më parë nga gjykata, prokurori i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK Klodian Braho u qëndroi kërkimeve të tij për lënien e Kokës në burg. Ndërsa përfaqësit ligjorë të ish-ministrit, avokatët Fatmir Braka dhe Julian Mërtiri kërkuan caktimin e një mase sigurime më të butë, për të cilën u shpreh dakord dhe i arrestuari.

Pas përfundimit të seancës që zgjati për më shumë se dy orë, avokati Braka u shpreh për mediet se i përfaqësuari prej tij, Lefter Koka është shprehur i pafajshëm në seancën gjyqësore. Ai evidentoi se Koka nuk ishte pyetur asnjëherë gjatë hetimeve dhe e konsideroi se jo normale këtë fakt. Gjithashtu, ai pohoi se fillimi i këtij procesi ka qenë politik.

Veç Kokës, SPAK kërkoi dhe arrestimin e shtetases Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services, por këta dy të fundit u shpallën në kërkim pasi policia nuk arriti të gjejë vendndodhjen e tyre. Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.

Sipas SPAK, Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.

Gjithashtu, SPAK konkludon se Koka në cilësinë e ish-Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare të sipërcituara përfitime të parregullta monetare në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara prej tij apo familjarëve.

Kjo është goditja e parë e korrupsionit në nivel të lartë nga SPAK dhe u lavdërua nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë si tregues i suksesit të reformës në drejtësi ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha akuzoi Edi Ramën si përgjegjës final të aferës së incineratorëve.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *