Skanimi i uniformave blu ka ngecur; Vetingu në polici drejt dështimit, mazhoranca propozon pezullimin e procesit

Share

Vetingu në radhët e policisë duket se po shkon drejt dështimit. Prej gati dy vitesh ka nisur procesi i skanimit për uniformat blu, por numri i seancave dëgjimore ka qenë shumë i ulët. Vetë Komisioni i Sigurisë përgjegjës për këtë çështje ka dhënë shpesh alarmin se ky proces nuk po funksionon ashtu siç duhet, pasi kishte mbyllur vetëm 29 dosje në 15 muaj, kur kishte për detyrë mbi 100 të tilla. Sipas gazetës ‘Sot.news’, këtë herë ishin 5 deputetë të Kuvendit të cilët kanë depozituar një projektligj ku kërkojnë pezullimin e vetingut në radhët e Policisë së Shtetit.

Nisma është iniciuar nga deputetët Ermonela Felaj, Antoneta Dhima, Elona Hoxha, Luan Harusha dhe Arben Elezi, të cilët kanë kërkuar që vetingu të mos kryhet më nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, por nga SHÇBA, e cila nga ana e saj pritet që të riformohet, duke u shndërruar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Në këta kushte relacioni shoqëruar projektligjit thekson se është e nevojshme pezullimi i procesit përderisa në këto kushte konsiderohet i dështuar dhe nuk ka kryer as gjysmën e punës së kërkuar për këta dy vite.

Kështu zgjedhja më e mirë është të pezullohet dhe për momentin të merren me vetingun ndaj trupës vlerësuese të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

“Qëllimi i këtij projektligji është të përmirësojë eficiencën e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik sipas parashkrimeve të Ligjit 12/20l8, duke pezulluar procesin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës dhe duke e orientuar punën e Komisionit të Jashtëm të Veting-ut në përfundimin së pari të procesit të vlerësimit kalimtar për trupën vlerësuese të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat. Bazuar në raportimin e fundit të KJV, që kur ka filluar punën KJV deri në Dhjetor 2020 kanë përfunduar procesin e Vlerësimit kalimtar vetëm 32 subjekte”, thuhet në relacion. Sipas relacionit, puna e kryer deri më tani nga KJV jo vetëm që nuk ka qenë e mjaftueshme, por shpesh edhe e parregullt.

Veting për SHÇBA

Vetingu edhe për punonjësit e SHÇBA është një tjetër kërkesë e deputetëve përmes këtij projektligji. Në projektligjin që është depozituar në Kuvend sqarohet se më parë në filtrat e vetingut duhet të kalojnë krerët e SHÇBA, organ ky që do të kontrollojë më pas gradat më të ulëta të policisë. Sipas relacionit, kjo do t’u mundësonte edhe institucioneve të tjera të përfshira të bënin një analizë më të thelluar të problematikave që janë shfaqur me kohën.

“Me ndryshimet e ndodhura me ligjin nr. 74/2020, Parlamenti vendosi përveç shtyrjes së afatit të veprimtarisë së KJV edhe realizimin e veprimtarisë paralelisht të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe Trupave të Vlerësimit të SHÇBA-së. Me qëllim që SHCBA-ja e subjekteve të tjera, KJV-ja duhet të ketë në vëmendje dhe në fokus me përparësi procesin e vlerësimit të trupave të SHÇBA ku sipas ligjit vlerësohen nga ky komision. Mekanizmi i parashikuar në ligjin ekzistues parashikon që Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit vlerëson kategoritë e punonjësve të përcaktuar në nenin, ndërsa punonjësit tjetër do të vlerësohen nga SHÇBA”, thuhet në dokument. Relacioni sqaron se, janë kërkuar këto dy ndryshime në ligjin ekzistues për t’u dhënë më shumë kohë strukturave përkatëse të shohin se ku çalon procesi dhe të zbatojnë ligjin ashtu siç duhet sidomos në këto raste, pasi janë çështje të mbikëqyrura dhe të rekomanduara nga ndërkombëtarët.

“Ky ndryshim do të mundësonte fokusimin dhe përmbylljen në kohë të procesit të vetingut për trupën vlerësuese të Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, e cila më tej, do të mund të shtrinte objektin e Vlerësimit kalimtar dhe periodik në subjektet e tjera të ligjit. Gjithashtu, ky ndryshim do të mundësonte kohën e nevojshme që institucionet e përfshira të bënin një analizë më të thelluar të këtij procesi dhe t’i propozonin ligjvënësit zgjidhje për një sërë problematikash të evidentuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë”, theksohet në relacion.


Share

Komente