April 15, 2021

Skeda e pasurisë së deklaruar –Elisabeta Imeraj –Prokuroria e Tiranës

Shpërndaje lajmin

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria familjare e saj nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.Elisabeta Imeraj, drejtuese e Prokurorisë së Tiranës do të përballet të mërkurën më 24 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Suela Zhegu, Olsi Komici dhe Roland Ilia.

Elisabeta Imeraj përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe punoi për 13 vite si prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në gusht 2018, ajo u komandua si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që kishte kandiduar për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Seanca dëgjimore e KPK-së me Imerajn po zhvillohet më shumë se dy vjet e gjysmë pas shortimit të saj si pjesë e listës prioritare të vetingut dhe pas largimit nga trupa të anëtares Genta Tafa Bungo. Në tetor 2019, Imeraj deklaroi se kishte bërë padi divorci ndaj bashkëshortit, pasi ky i fundit i kishte mbajtur të fshehtë një përplasje ‘verbale dhe fizike’ me ish-kryetaren e KPK-së, Genta Tafa Bungo.

Imeraj është njëkohësisht kandidate për t’u emëruar si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës dhe më 13 mars, Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaroi se ajo i kishte kaluar filtrat e tij të  verifikimit të pasurisë dhe figurës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga prokurorja Elisabeta Imeraj dhe ish-bashkëshorti i saj për vitet 2004-2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga prokurorja Elisabeta Imeraj për vitet 2004-2017.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2004, prokurorja Elisabeta Imeraj nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 22.9 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, ajo zotëronte familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 16.9 milionë lekë, likujditete bankare me vlerë 4.4 milionë lekë, automjet me vlerë 505 mijë lekë dhe kursime në cash prej 920 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 55.7 milionë lekë, nga të cilat 32% burojnë nga paga e Znj. Imeraj si prokurore dhe 31% nga të ardhurat e bashkëshortit si avokat dhe noter. Rreth 19% e të ardhurave familjare kanë si burim qiratë, gati 10% dëmshpërblimin për dëmtimin e një shtëpie si dhe 3% janë pagesa nga kunetërit për kredinë. Të ardhura në masë më të vogël deklarohet nga shitja e pasurive të patundshme dhe mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 13 vite të deklarimit, dy prej deklaratave rezultuan me probleme.

Subjekti i rivlerësimit, Elisabeta Imeraj dhe ish-bashkëshorti i saj rezultojnë me burime të pamjaftueshme financiare të deklaruara për të justifikuar pasurinë në vitet 2007 në vlerën 3.5 milionë lekë dhe në vitin 2016 në vlerën e 993 mijë lekëve. Diferenca negative e vitit 2007 vjen kryesisht nga deklarimi i një shtëpie banimi me vlerë 4 milionë lekë nga bashkëshorti i saj, për të cilën nuk deklarohet burim krijimi.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi një seri ‘flamujsh të kuq’, të cilët lidhen kryesisht me transaksionet e shumta me pronat nga ana e bashkëshortit të saj, Agron Bajri.

Më konkretisht në vitin 2008, subjekti deklaron blerje apartament banimi në Tiranë nga bashkëshorti në shumën 3,900,000 lekë dhe sqaron që blerja është bërë “për efekt dokumentesh”, shitësi është vëllai i bashkëshortit dhe pasuria vazhdon të jetë e këtij të fundit. Nuk sqarohet asyeja e transaksionit fiktiv nga ana e bashkëshortit për llogari të vëllait.

Në vitin 2008 është marrë kredi bankare 100,000 euro për blerje pronash në emër të bashkëshortit dhe vëllait të tij. Shlyerja e kredisë është me kontribut të përbashkët, por është e paqartë sa është kontributi i palëve ndër vite, pasi subjekti vetëm në vitin 2012 deklaron shumën 1,675,080 lekë nga kunetërit për shlyerje kredie.

Në vitin 2012, Agron Bajri shkëmben një pronë në Mullet, Tiranë me pasurinë me sipërfaqe 2,500 m2 te ish- fusha e Aviacionit. Prona në Mullet nuk është e deklaruar më parë dhe nuk ka të dhëna mbi sipërfaqen, mënyrën e përfitimit dhe çmimin.

Në vitin 2015, bashkëshorti i subjektit deklaron të drejta reale mbi pasurinë e ndodhur në Fushën e Aviacionit Tiranë, me burim një kontratë sipërmarrjeje me Eja Studio, ku Agron Bajri zotëron 37% të ndërtimit në pjesë takuese të barabartë me të vëllanë. Në përfundim të ndërtimit, nga kjo kontratë janë përfituar 5 njësi me sipërfaqe totale 1,142.2m2; 3 apartamente me sipërfaqe totale 279 m2 dhe garazh me sipërfaqe totale 12.9 m2 dhe 236.6 m2. Kjo pasuri është regjistruar në ZRPP në vitin 2017.

Në vitin 2016, bashkëshorti i subjektit deklaron një kontratë porosie për pasuri të paluajtshme me sipërfaqe 86.7 m2, me burim një borxh prej 5 milionë lekësh të dhënë prej tij në vitin 2015 dhe të pakthyer. Huadhënia nuk rezulton e deklaruar në vitin paraardhës.

Në vitin 2017, Agron Bajri deklaron kontrata tjetërsimi /dhurim pasurie për një sërë pronash në Shën Vlash Durrës dhe Selitë, për të cilat deklaron se i përkasin vëllait, por janë regjistruar në emrin e tij për efekt të kryerjes së procedurave të legalizimit dhe regjistrimit.

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Ky lajm u publikua fillimisht në www.reporter.al, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative. BIRN


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *