November 27, 2021

Skeda e pasurisë së deklaruar –Enkeleda Kapedani– Gjykata e Elbasanit

Shpërndaje lajmin

Gjyqtarja e pezulluar e Elbasanit, Enkeleda Kapedani do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2013 deri në fund të vitit 2018.Enkeleda Kapedani do të përballet të hënën më 15 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërkohë që është e pezulluar nga detyra dhe me një procedim disiplinor të hapur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për shkak të publikimit të disa videove në Tik Tok.

Procesi i vetingut për Kapedanin po kryhet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Brunilda Bekteshi.

Enkeleda Kapedani përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Tiranë, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit. Në maj 2021, ndërsa mbante detyrën e nënkryetares së Gjykatës së Elbasanit, Kapedani u vendos në fokus të mediave dhe institucioneve të drejtësisë për shkak të publikimit të disa videove në rrjetin social TikTok.

ILD nisi menjëherë një hetim disiplinor dhe i konsideroi videot si sjellje që diskretitojnë figurën e gjyqtarit, ndërsa Kapedani pretendoi se videot ishin publikuar për t’i dëmtuar imazhin dhe kërkoi të gjykohej për punën e saj si gjyqtare. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pezullimin e saj nga detyra.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Enkeleda Kapedani nga viti 2013 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Enkeleda Kapedani për vitet 2013-2018.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2013, gjyqtarja Enkeleda Kapedani deklaronte pasuri familjare me vlerë 10 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e saj familjare kap vlerën e 9 milionë lekëve.

Ajo zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 7 milionë lekë, kursime të akumuluara në cash me vlerë 1.5 milionë lekë, automjet me vlerë 360 mijë lekë si dhe likujditete bankare prej 90 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën e deklaruar janë 6.1 milionë lekë, nga të cilat 83% burojnë nga paga si gjyqtare, rreth 6% janë dhurata në cash nga familjarët, 4.2% janë të ardhurat nga paga e bashkëjetuesit dhe po kaq deklarohen të ardhura nga shitja e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 6 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” huamarrjet konsumatore si dhe transaksionet për blerjen dhe shitjen e një kamioni nga bashkëjetuesi.

Subjekti Enkeleda Kapedani gjatë viteve 2013-2016 deklaron huamarrje konsumatore dhe overdraft në vlerë totale 1,700,000 lekë, për të cilat nuk deklaron qëllimin e marrjes dhe i shlyen regullisht gjatë viteve në vazhdim.

Në vitin 2016, subjekti Enkeleda Kapedani deklaron shitjen e një toke arë në vlerë 1,634,000 lekë, nga të cilat 1,000,000 lekë përdoren nga bashkëjetuesi për të blerë një kamion. Kamioni deklarohet i shitur brenda të njëjtit vit në vlerën 32,000 euro, nga të cilat 28,000 euro i jepen hua në janar 2017 një shtetasi.

Bashkëjetuesi Lulzim Qarri deklaron të jetë bashkëpronar në 1/6 pjesë në pasuritë familjare shtëpi banimi me sipërfaqe 300 m2 truall dhe 156 m2 ndërtesë në Zall-Herr Tiranë si dhe pjesë takuese në tokë bujqësore.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *