SPAK kërkon gjykimin e Ardian Çapjas dhe bashkëpunëtorëve të tij për një vrasje të dyfishtë

Shpërndaje lajmin

SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme të kalojë në gjykim dosjen në ngarkim të Ardian Çapjas dhe gjashtë personave të tjerë, të cilët i akuzon për vrasje të dyfishtë, grup të strukturuar kriminal dhe vepra të tjera penale.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Foto: LSA

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të enjten më 17 qershor, se po në këtë ditë, paraqiti në gjykatë kërkesë për kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj të pandehurve Ardian Çopja (Çapja), Florenc Çapja, Olsi Leka (alias Jorgo Leku) alias Giorgo Lekou, Ervis Bardhi, Klajdi Dokoli e Etjen Cani, të akuzuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Në njoftim thuhet se ata akuzohen për vrasjen e Nezir dhe Gentjan Beqirit, babë e bir, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 15 gushtit të vitit 2012 në qytetin e Elbasanit, brenda banesës së të ndjerëve.

Sipas prokurorisë, Ardian Çopja akuzohet veçmas edhe për krimet “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë arrestimit të tij më 29 mars 2021, iu gjet dhe sekuestrua në banesë një armë zjarri automatike kallashnikov, 60 fishekë dhe një bajonetë metalike, të cilat i mbante pa leje.

Më 8 qershor 2020, policia e Elbasanit njoftoi se 56-vjeçari Ardjan Çapja ishte paraqitur i plagosur në spitalin e qytetit, por pa njoftuar për atentatin e kryer ndaj tij ku kishte marrë në shpatull një plagë me armë zjarri.

Vetëm pak minuta pas mbërritjes së të plagosurit në spital, atëherë u njoftua gjetja e një makine që po digjej, kur gjatë ndërhyrjes për shuarjen e zjarrit janë dëgjuar shpërthime fishekësh në bagazhin e automjetit dhe si pasojë e tyre u plagos në këmbë një efektiv zjarrfikës.

Ardjan Çapja dhe anëtarë të familjes së tij janë pjesë e një sërë ngjarjesh të rënda që kanë ndodhur në Elbasan në 16 vitet e fundit. Ndaj Çapjes dhe të afërmve të tij ka pasur disa atentate, më i rëndi në vitin 2016 kur katër veta, përfshi edhe nipa të tij, humbën jetën.

Asnjë prej të dyshuarve për një seri vrasjesh në Elbasan që mendohet se kanë lidhje me përplasjen mes dy grupeve rivale, nuk është dënuar.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *