December 3, 2021

SPAK sekuestron “Alba Exotic Fruit” pas rastit të pestë me kokainë

Shpërndaje lajmin

Prokuroria e Posaçme njoftoi sekuestrimin e kompanisë së importit të bananeve, e hetuar për pesë episode të trafikimit të kokainës nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë që prej 13 korrikut të këtij viti.

Sasia e drogës e kapur në Durrës. Foto Policia e Shtetit.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten sekuestrimin e kompanisë “Alba Exotic Fruit” – e hetuar për pesë episode të trafikimit të kokainës nga vendet e Amerikës Latine që prej 13 korrikut të këtij viti.

Ngarkesa e fundit prej 10 kilogramësh kokainë u sekuestrua më 12 tetor. Policia raportoi se lënda narkotike u gjet në 2 prej kontejnerëve me banane të ardhura nga Ekuadori dhe sasia ishte fshehur njësoj si edhe në 4 ngarkesat e para, në pjesën fundore të kontejnerëve tek kapakët e motorëve frigoriferikë.

Sasia totale, sipas të dhënave të publikuara pas 5 operacioneve nga policia është 43 kilogramë kokainë. Pas rastit të parë të drogës në kontejnerët e kësaj kompanie, policia bëri me dije për mediat arrestimin e njërit prej aksionerëve të subjektit juridik “Alba Exotic Fruit”, Barjon Gumeni dhe shpalli në kërkim aksionerin tjetër, Eduard Dauti. Ata i kanë mohuar akuzat.

Në njoftimin e SPAK thuhet se Gjykata e Posaçme e ka pranuar kërkesën për vendosjen e sekuestros preventive në subjektin “Alba Exotic Fruit”. Procedimi penal për këtë kompani është regjistruar për veprat penale “trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim të veçantë  të grupit të strukturuar kriminal, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a,  28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Më herët në Portin e Durrësit janë kapur sasi edhe më të mëdha, si ajo e 18 qershorit, ku brenda një kamioni që shkonte në Maqedoninë e Veriut u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike të dyshuar si kokainë. Në qershor të vitit 2018 u sekuestruan edhe 613 kg kokainë për trafikimin e të cilës u deklaruan fajtorë administratori i kompanisë “Arbi Garden” që kishte porositur ngarkesën e bananeve ku gjet droga.

Droga atëherë ishte ndarë në 528 paku të ndryshme mbi të cilat kishte shënime dalluese, të tilla si “KE”, “020”, “CR77”, “Toni Montana”, “Molle 2”, “777” etj., duke sugjeruar praninë e një ‘sindikate’ të krimit me pjesëmarrje të grupeve të ndryshme kriminale. Hetimet e deritanishme nuk kanë mundur të mbërrijnë tek porositësit e kokainës.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *