January 28, 2022
Shpërndaje lajmin

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e një apartamenti dhe të një garazhi në pronësi të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i cili u shkarkua nga vetingu.

Ish-Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e dy pasurive të paluajtshme të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i cili u dënua me 9 muaj burg në maj të vitit 2019 për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, pasi gjatë procesit të vetingut u gjet se kishte fshehur një dënim për vjedhje në Itali.

E pyetur nga BIRN, koordinatorja për median pranë Prokurorisë së Posaçme, Xhuljeta Krasta sqaroi se ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza është hetuar bazuar në ligjin “Antimafia” dhe se gjykata ka pranuar kërkesën për sekuestrimin e një apartamenti me sipërfaqe 69.9 m2 dhe të një garazhi 23.4 m2, në Tiranë. Sipas SPAK, është kryer dhe ekzekutimi i kërkesës.

Problemet për Thanzën filluan gjatë procesit të rivlerësimit të kryer ndaj tij. Në përfundim të hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK u konkludua se Admir Thanza kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë; kishte fshehur dhurata nga palët që kishte gjykuar; kishte kryer deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit; si dhe kishte kontakte të papërshtatshme.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar në KPK më 10 korrik 2018, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit bëri të ditur se ishte zbuluar një dënim me 40 ditë burg për vjedhje në Itali në vitin 1999, të cilën Thanza nuk e kishte pasqyruar në vetëdeklarim. Vendimi i shkarkimit të Thanzës u gjet i drejtë dhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published.