Spanja s’e ndryshon qëndrimin për Kosovën, kërkon zgjidhje përmes dialogut
Spanja vazhdon të mos e ndryshojë pozicionin e saj sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse tha se është koha që të bëhen përpjekjet përfundimtare që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë spanjolle për Çështje të Jashtme, nëse Madridi ka ndryshuar qëndrim për Kosovën, pasi Prishtina dhe Beogradi u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve. Nga kjo ministri thanë se “çështja e territorit të Kosovës” duhet të zgjidhet përmes dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Është koha që të bëhen përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Elena Aljarilla Cortezón, këshilltare për komunikimin në Ministrinë për Çështje të Jashtme të Spanjës.
Spanja është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njeh pavarësinë që Kosova shpalli më 2008.
Madridi zyrtar tha se ende ka punë sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
LEXONI GJITHASHTU:
Kurti diskuton me QUINT-in për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE
Serbët e Kosovës të ndarë, veriorët skeptikë për marrëveshjen, jugorët kanë shpresë