Steinmeier: Duhet të mbrojmë jetën e hebrenjve
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka bërë thirrje për vigjilencë të veçantë ndaj sinjaleve të antisemitizmit në Gjermani pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit gjatë fundjavës.
“Ne duhet të mbrojmë jetën e hebrenjve në vendin tonë dhe të qëndrojmë të fortë dhe të vendosur kundër çdo forme antisemitizmi dhe urrejtjeje ndaj Izraelit”, tha ai sot përpara fillimit të ceremonisë së ndarjes së çmimeve në “Pallatin Bellevue” në Berlin.
“Ne nuk mund të tolerojmë përpjekjet për të festuar sulmet brutale ndaj Izraelit në rrugë”, tha ai.
Rreth 50 persona ishin mbledhur të shtunën në rrethin e Berlinit të Neukölln për atë që policia tha se ishte një demonstratë pro-palestineze.
“Ata që brohorasin këtë terror jo vetëm që degradojnë viktimat, por ata shkelin edhe dinjitetin njerëzor dhe kushtetutën tonë gjermane. Një sjellje e tillë më tmerron, më neverit”, sipas fjalimit të publikuar paraprakisht të Steinmeier.
Steinmeier u zotua për solidaritetin e Gjermanisë me Izraelin.
“Në këto kohëra të vështira, Gjermania qëndron fort në krah të Izraelit. Populli izraelit, hebrenjtë në Gjermani mund të mbështeten në këtë”, tha ai/dpa