Studentët shqiptarë të Cyrihut dhe Lucernit, festojnë bashkë Festën e Flamurit
Anëtarët e Kryesisë së shoqatës „Studenti“, Hysen Iseni, Eleonit Smajli, Albin Mamuti, Diellza Hyseni, Flakë Haziri, Hana Çeku, Krenar Sherifi dhe Rilind Sulja, është hera e parë që në këtë cilësi kanë marrë barrën të organizojnë një mbrëmje festive me rastin e kësaj dite të rëndësishme për shqiptarët.
Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin diplomatët shqiptarë; Sami Ukelli – ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Vigan Berisha – konsull kosovar në Cyrih, si dhe Rexhep Demiri – ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër.
Me fjalime para studentëve të mbledhur në këtë festë janë paraqitur Albin Mamuti dhe Flakë Haziri nga shoqata „Studenti”, si dhe Delvina Morina nga shoqata e studentëve në Luzern.
“Jetojmë larg trojeve tona por atdhedashuria dhe përgjegjësia kombëtare është që mos t’i harrojmë datat tona të rëndësishme të historisë tonë. Kur je larg atdheut kjo përgjegjësi shtohet edhe më shumë dhe na kujton që këto festa t`i shënojmë së bashku”, tha Flakë Haziri, studente master në shkencat politike dhe Methods & Data në Universitetin e Zürichut.
Kjo traditë nuk fillon tani. Shoqata “sStudenti” është aktive që nga viti 2000 dhe një ndër qëllimet kryesore e kësaj shoqate është bashkimi i studentëve me prejardhje shqiptare, thotë studenti tjetër Albin Mamuti, master në shkenca kompjuterike në Universiteti Politeknik i Cyrihut (ETH).
Shoqatës “Studenti” në këtë mbrëmje festive i është bashkuar edhe shoqata e studentëve nga Lucerni. Kryetarja e kësaj shoqate, Delvina Morina, tha se ishte kërkesë e mbi 100 studentëve që të organizohen në një organizatë studentore,
Në mbrëmjen për Festën e Flamurit, studentët janë argëtuar nga bendi i njohur nga Tetova “Elita 5” dhe nuk ka munguar edhe muzika e zgjedhur nga solistja Laura Kastrati që është shoqëruar nga Ilir Derbaci dhe Demir Basha.
Kremtimi i 28 Nëntorit është njëri nga aktivitetet më të rëndësishëm të shoqatës “Studenti”, i cila tash sa vjet është bërë tradicional dhe organizohet për çdo vit për studentët e këtushëm shqiptarë.