Studimi/ Pirja e duhanit, shoqërohet me një rrezik të shtuar për një Covid-19 me simptoma të rënda

Share

Pirja e duhanit,lidhet me një rrezik në rritje të simptomave të rënda nga Covid-19, dhe duhanpirësit kanë më shumë gjasa të shtrohen në spital sesa jo-duhanpirësit. Në këtë përfundim ka arritur një studimi i botuar të mërkurën në “Thorax”, nga studiuesit e Kolegjit Mbretëror të Londrës, të cilët shqyrtuan lidhjen midis pirjes së duhanit dhe ashpërsisë së Covid-19.

Studiuesit analizuan të dhënat nga aplikacioni “ZOE COVID Symptom Study”. Nga pjesëmarrësit e aplikacionit, 11 për qind ishin duhanpirës. Ky është një proporcion më i ulët se sa popullsia e përgjithshme e duhanpirësve në Britani prej 14.7 për qind. Gjithsesi, ai pasqyron demografinë e mostrës së vetë-zgjedhur nga aplikacioni. Ndërsa më shumë se një e treta e përdoruesve, raportuan se nuk ndiheshin mirë fizikisht gjatë periudhës së studimit (24 mars-prill 2020), duhanpirësit kishin 14 për qind më shumë gjasa të shfaqnin treshen klasike të simptomave që tregojnë prekjen nga Covid-19: ethe, kollë e vazhdueshme dhe gulçim, krahasuar me ata që nuk pinë duhan.

Gjithashtu, duhanpirësit kishin më shumë të ngjarë të kishin një ngarkesë më të lartë të simptomave sesa jo-duhanpirësit. Duhanpirësit kishin 29 për qind më shumë gjasa të raportonin më shumë se sa 5 simptoma të lidhura me Covid-19, dhe 50 për qind më shumë të ngjarë të raportonin më shumë se 10 simptoma, përfshirë humbjen e nuhatjes, oreksit, diarrenë, lodhjen, konfuzionin apo dhimbjen e muskujve. Një numër më i madh i simptomave sugjerojnë një formë më të rëndë të COVID-19.Për më tepër, duhanpirësit që rezultuan pozitivë ndaj SARS-CoV-2, kishin më shumë se 2 herë gjasa të shtroheshin në spital se sa jo-duhanpirësit.

Studiuesit i rekomanduan autoriteteve përfshirjen e një strategjie të lënies së duhanit, si një element për të adresuar pandeminë e Covid-19, pasi pirja e duhanit rrit gjasat e sëmundjes simptomatike po ashtu edhe ashpërsinë e saj. Ndërkohë, ulja e niveleve të pirjes së duhanit, mund të zvogëlojë gjithashtu barrën e sistemit shëndetësor nga sëmundjet e tjera të lidhura me pirjen e duhanit që kërkojnë shtrimin në spital. Dr.Mario Falki, studiuesi kryesor dhe pedagog në Kolegjin Mbretëror të Londrës: “Disa raporte, kanë sugjeruar një efekt mbrojtës të pirjes së duhanit ndaj rrezikut të Covid-19. Megjithatë, studimet në këtë fushë, mund të ndikohen lehtësisht nga paragjykimet në marrjen e mostrave, pjesëmarrjen dhe përgjigjen. Rezultatet tona, tregojnë qartazi se duhanpirësit janë më të rrezikuar të vuajnë nga një gamë më e gjerë e simptomave tëCovid-19 sesa jo-duhanpirësit.”

Kler Stives, një tjetër studiuese e këtij studimi, tha:“Ndërsa rastet e reja me Covid-19 vazhdojnë që të rriten dhe spitalet britanike janë drejt shterimit të të gjitha kapaciteteve, është e rëndësishme të bëjmë gjithçka që mundemi për të zvogëluar efektet e pandemisë, dhe për të zbuluar mënyra për të zvogëluar shtrimet në spitale. Analiza jonë tregon se pirja e duhanit, i rrit gjasat që një person të shtrohet në spital. Prandaj ndalimi i pirjes së duhanit, është një nga gjërat që mund të bëjmë për të zvogëluar pasojat shëndetësore nga kjo sëmundje”./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.eurekalert.org/pub_releases/2021-01/kcl-sas010621.php


Share

Komente