Subjektet mund të përdorin kasat ekzistuese, duke i përshtatur për fiskalizimin

Share

Flet drejtoresha ekonomike e kompanisë “Daisy & ETM”, Myrvete Pazaj 

Nga 1 janari nis zbatimin procesi i fiskalizimit për lëshimin e faturave elektronike. Një ndër kompanitë e para të certifikuara nga shteti, si prodhues dhe mirëmbajtës të zgjidhjeve software, “Daisy & ETM” ka nisur shitjet si për programet dhe kasat e reja fiskale.

Përfaqësuesja e kompanisë znj. Myrvete Pazaj shpjegoi për “Monitor” se aktualisht, nga kjo kompani u ofrohet bizneseve një sërë zgjidhjesh, të cilat janë në përputhje dhe në zbatim të ligjit dhe që i klasifikon si dy kategori kryesore: pajisjen fiskale, e cila mund të jetë pajisje e re, ose pajisje ekzistuese, e azhurnuar me kërkesat e reja të ligjit, si dhe zgjidhjen software.

Znj. Pazaj thotë se kostot, si investim fillestar për programet software llogariten minimalisht rreth 515 euro. Nëse bizneset që punojnë me transaksione me para në dorë mund të zgjedhin të mbajnë kasën aktuale, duhet ta përshtatin atë kundrejt tarifës rreth 70 euro. Shumë biznese po zgjedhin të blejnë kasë të re që është certifikuar sipas ligjit të ri të fiskalizimit, që nuk ka nevojë për investim shtesë.

Cili është funksioni i kompanisë “Daisy & ETM” në procesin e fiskalizimit, e certifikuar për prodhimin dhe instalimin e sistemeve software?

Në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” përcaktohet se procesi i fiskalizimit do të shtrihet me 3 faza, si: më 1 janar 2021 nis lëshimi i faturave elektronike midis biznesit dhe shtetit; më 1 korrik 2021, në marrëdhëniet biznes-biznes dhe më 1 shtator 2021 nis për transaksionet me para në dorë në marrëdhëniet biznes-konsumator.

Kompania jonë është e para e certifikuar, për zgjidhjet software sipas ligjit të ri. Janë të shumta bizneset që nga më të voglat deri te më të mëdhatë që kanë nisur zbatimin e sistemit të ri. Aktualisht kompania po shet edhe kasat e reja fiskale edhe programet software për fiskalizimin e faturave. Të certifikuar si prodhues dhe mirëmbajtës të zgjidhjeve sofëare për zbatimin e procesit të fiskalizimit, kompania ofron disa variante për biznesin. E këshillojmë biznesin e ri që paraqitet pranë kompanisë sonë për zgjidhjet e certifikuara që ekzistojnë.

Së pari, ju sugjerojmë pajisjen fiskale, e cila është pajisja elektronike e faturimit, që përdoret për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave për shitjen e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve, me memorie për regjistrimin e të dhënave fiskale në faturat e lëshuara për pagesa që kryhen me para në dorë. Këto pajisje kanë të integruar një zgjidhje software të certifikuar. Kjo është një zgjidhje shumë e përshtatshme për bizneset që kanë përdorur një kasë fiskale dhe e kanë më të thjeshtë të mos ndryshojnë tipologji pajisjesh dhe që lëshojnë vetëm faturë për klientët me para në dorë.

Bizneset që e kërkojnë këtë zgjidhje janë të shumëllojshme duke filluar nga markete, farmaci, kinkaleri, fruta-perime, byrektore, etj. E rëndësishme është që ne i bëjmë të qartë biznesit se me kasën nuk mund të lëshohet faturë elektronike për pagesat me bankë. Nëse ai pranon zgjidhjen me pajisjen elektronike-kasë, investimi i tij fillestar është vetëm vlera e kasës në të cilën është përfshirë dhe kontrata e shërbimit 1-vjeçar.

Gjithashtu bizneseve të cilët preferojnë një zgjidhje software-ike të instaluar në një kompjuter, tablet, celular etj., ne ju ofrojmë zgjidhjen e certifikuar I-Cash, i cili vjen me disa paketa në varësi të funksionaliteteve shtesë të menaxhimit që ato kanë krahas fiskalizimit të faturës.

Në lidhje me bizneset që kanë një kasë aktuale, ato mund të vazhdojnë ta përdorin kasën në gjendjen siç janë deri në datën 30 gusht 2021, por deri në këtë datë, duhet të gjejnë një zgjidhje në përputhje me ligjin që mund të jetë:

Të mbajnë kasën ekzistuese dhe ta azhurnojnë atë siç e përcakton ligji. Siç e thamë, kostoja e këtij azhurnimi do të jetë rreth 70 euro.

Të bëjnë një zgjidhje të teknologjisë më të re, siç është blerja e kasës së re fiskale, e cila përmbush kërkesat e biznesit specifik.

Të pajisen me zgjidhjen software-ike dhe ta instalojnë atë në një kompjuter, tablet, celular etj., të cilat mund t’i kenë ekzistuese dhe në rast se nuk i disponojnë duhet t’i blejnë ato.

Këtij procesi kaq dinamik ne i qasemi duke ju gjendur biznesit me shpjegimin në detaje, për çdo zgjidhje që biznesi të ndihet rehat në zgjidhjen që bën, të jetë një zgjidhje afatgjatë, e përshtatshme për nevojën e tij dhe që kënaq edhe buxhetin e tij.

Shumë biznese që kanë një kasë aktuale të cilat vijnë tek kompania jonë të bëjnë rinovimin e kontratën së mirëmbajtjes të kasës, apo kur bëjnë një servis të nevojshëm, ne ju parashtrojmë të dyja alternativat, si adoptimin e kasës ekzistuese me sistemin e ri, ashtu edhe blerjen e një kase të re, për të cilën nuk nevojitet përshtatje për procesin e fiskalizimit.

Ka shumë prej tyre që preferojnë të blejnë kasë të re, pasi është kompakte, me një dizajn shumë komod për çdo lloj biznesi, e thjeshtë në përdorim, pse jo edhe pse janë mësuar të përdorin një kasë më parë dhe kur jua lejon nevoja e biznesit, marrin një të re në vend të azhurnimit të një të vjetre.

Ka biznese që i drejtohen zgjidhjes software, por ka biznese që i zgjedhin të dyja zgjidhjet. P.sh, është një subjekt që bën transaksione me një subjekt tjetër, apo me ente shtetërore, por ndërkohë ai lëshon shumë fatura me klientë fundorë dhe ka zgjedhur ta mbajë kasën fiskale për transaksionet me para në dorë, ndërsa për faturën elektronike me qeverinë merr vetëm programin për pagesat nëpërmjet bankave.

Është zgjidhja që parapëlqen biznesi për menaxhimin e financave të tij, ndërkohë që këto zgjidhje duhet të jenë në përputhje me ligjin e fiskalizimit. E rëndësishme është që biznesi të jetë i sqaruar në çdo detaj dhe ne nuk pushojmë së shpjeguari, me qëllim që të mos krijohet konfuzion.

Sa përllogaritet kostoja për një biznes i cili zgjedh të adoptojë kasën fiskale ekzistuese, me sistemin e ri të fiskalizimit?

Azhurnimi, sipas sistemit të ri të një kase fiskale ekzistuese llogaritet 70 euro, (kasës fiskale i hiqet bordi ekzistues dhe i vendoset një bord i ri, që mundëson transmetimin e të dhënave.) Kostot janë deklaruar prej nesh më herët edhe në takimet e herëpashershme që kemi zhvilluar me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Mirëmbajtja vjetore e kasës në total është 3600 lekë/vit, rreth 29 euro.

Në këtë kosto nuk përfshihet kostoja vjetore e internetit. Kasat kanë opsionin që të bëjnë transmetimin e të dhënave duke u lidhur me portë LAN apo me WI-FI, që biznesi e ka të instaluar në njësinë e tij, por mund të përdorë edhe kartën SIM. Përdorimi i kartës SIM është një përparësi, sepse është e pamundur të dështojë transmetimi i të dhënave për mungesë të internetit.

Ne jetojmë këtu dhe i dimë problematikat që kemi me energjinë elektrike, e cila sjell edhe ndërprerjen e linjës së internetit. Ne u sugjerojmë klientëve që të kenë një burim alternativ të vazhdueshëm, pasi deklarimi i shitjeve offline kërkon pak më shumë procese dokumentuese dhe argumentuese. Prandaj, për të shmangur këto situata të sikletshme, ne i sugjerojmë biznesit blerjen e kartës SIM (e ngjashme me kartën e telefonit), që kushton 15 euro në vit.

Por për rastet kur zgjidhet të përdoren programet software, sa do të jenë kostot dhe si janë ato në raport me kostot e kasave fiskale?

Për bizneset që kryejnë vetëm transaksionet me para dorë, siç janë restorantet, farmacitë, supermarketet, kancelaritë etj., kostoja si investim fillestar nga përdorimi vetëm i kasës fiskale, është më e lirë, sesa përdorimi i programit software. Për ta kuptuar lexuesi, po e ilustroj me një shembull konkret. Nëse një individ hap një market të ri dhe kërkesa për transmetimin e të dhënave plotësohet si nga blerja e një kase të re fiskale, ashtu edhe nga instalimi i aplikacionit software, llogaritja e kostove është kjo: blerja e një kase të re që lëshon fatura elektronike kushton 279 euro.

Në këtë vlerë është përfshirë edhe shërbimi i internetit, si dhe kontrata e mirëmbajtjes. Në rastin e zgjidhjes me aplikacion software është e nevojshme të blihet një kompjuter dhe një printer, të cilat së bashku minimalisht kanë koston 300 euro. Gjithashtu do të instalohet interneti, i cili nuk kushton më pak se dhe 15 euro/muaj, që do të thotë 90 euro në vit. Kostove të mësipërme duhet t’u shtohet edhe kontrata e mirëmbajtjes së software, që do të jenë nga 100-150 euro në vit.

Në total, kostoja fillestare e opsionit të dytë është 300 + 90 + 125 = 515 euro. Pra një biznes që punon me transaksionet me para në dorë, nëse zgjedh të investojë për zgjidhjen software do të shpenzojë 515 euro dhe, nëse do të blejë kasën e re fiskale, do të shpenzojë 279 euro.

Zgjidhjet software-ike të certifikuara nga kompania “Daisy & ETM” ofrohen në disa paketa, të cilat kanë funksionin e kryerjes së funksioneve të fiskalizimit të faturave, por kanë edhe funksione shtesë të menaxhimit financiar, duke nisur që nga ofrimi i shërbimeve bazike, nxjerrjen e raporteve financiare e deri te menaxhimi i prodhimit. Këto programe janë një oportunitet i madh për biznesin dhe janë të përshtatshme për çdo lloj aktiviteti, që nga më i vogli e deri te bizneset më të mëdha.

A e keni pyetur sipërmarrjen se sa prej tyre parashikohet të zgjedhin blerjen e një kase të re, të instalojnë programet software dhe sa do të azhurnojnë ato ekzistueset?

Pak muaj më parë, ne zhvilluam një sondazh me klientët tanë, ku u pyetën se çfarë dëshironin të bënin, do të mbanin kasën fiskale apo programet software. Mbi 75% e tyre u përgjigjën se dëshironin të përdornin kasën fiskale, pasi janë mësuar me këtë mënyrë të vepruari.

Shumë nga sipërmarrësit e konsideruan të vështirë ndryshimin e mentalitetit të të punuarit. Pjesa prej rreth 25% preferonin të kalonin në zgjidhjet software, sepse e shohin si një avantazh të madh në menaxhimin e shitjeve nga shumë pika dhe të kontrollit të tyre nga distanca.

Gjithashtu bizneset që kryejnë transaksione me entet shtetërore dhe midis vetë bizneseve janë të detyruara të zgjedhin aplikacionin software. Së fundmi, kemi konstatuar se ka një numër biznesesh që, deri tani, nuk kanë pasur nevojë të pajisen me kasë fiskale, sepse nuk kryenin pagesa me para në dorë, por lëshonin vetëm faturë tatimore, tashmë ne kemi klientë që janë drejtuar tek ne për të marrë zgjidhjen software..Monitor


Share

Komente