Sulmi i Ministrit të Punëve të Brendshme ndaj një gruaje është krim i urrejtjes

Share

Arrogancës çnjerëzore të Veliut duhet dhëne një përgjigje të merituar, pse heshtin gratë e LDK-së, gratë e partive të tjera, studentet. Derisa çikat e Kosovës në diasporë janë krenaria jonë në afirmimin e grave shqiptare dhe shtetit tonë, femrat në Kosove heshtin edhe kur u ofendohet rëndë një grua mendjendritur që nuk i nënshtrohet bullizmit, arrogancës, diktatit dhe intimidimit.
Shkruan Ramazan Bekteshi
Kur kryexhandari ynë flet, partia i duartroket, ai flet me zë te lartë, dhe të frikshëm kur flet për gratë, flet për gjueti shtrigash, dhe për fizikun e grave. Veliu ka një leksik të veçantë për gratë, trimëreshat ai i quan tradhtare, guximtaret i quan të shitura, për ato qe i përjashtoi partia i quan dezertore, gratë që u tërhoqën zvarrë i quan të dhunshme, derisa për gruan që fitoi shumë vota thotë se s’i fitoi Vjosa i fitoi firma LDK. Pra, me kryexhandarin tonë çdo gjë fillon dhe mbaron me një qark vicioz :”hyp se të vrava, zdryp se të vrava” dhe s’ka rrugë tjetër!
Në një vend normal nëse Ministri i PB do të fyente një femër për shkak të ‘llukut’ të saj dhe nëse është kundërshtare politike, jo vetëm që do të shkarkohej menjëherë (edhe pse është i shkarkuar dy here, njëherë prej Albinit, dhe tjetrën here nga kushtetuesja), por që çuditërisht bashkë partiakët e Agim Veliut jo vetëm qe s’e denoncuan ketë akt qyqar por u munduan ta mbrojnë me metoda ‘akademike’ duke e analizuar diskursin, morfologjinë dhe sintaksën mizogjiniste të Veliut, herë me metoda sociolinguistike, e herë psikolinguistike, o zot, as Noam Chomsky nuk i bie në fije pos “k ‘akademikëve” të LDK-së që foljen “sulmoj” si veprim të tyre qyqar e quajnë kompliment derisa imperativin “guxo” e konvertojnë në “tradhti”!
Është absurde se si partia më paqësore deri para pandemisë u shndërrua në një kuçedër për popullin dhe gratë e saj, partia më paqësore që më herët kishte hëngër shumë plumba e dajak padrejtësisht, por që për pushtet i harroi të gjitha, dhe në kohë pandemie shndërrohet në një parti agresive e servile. Agim Veliu ishte figura më e përfolur e partisë bashke me Isën, ai me arrogancën dhe egon e tij e la Podujevën, një bastion ndoshta me besniku i LDK-së për ta humbur përgjithmonë, sepse deshi të jete kryexhandar i Kosovës, dhe u bë dy herë, dhe u rrëzua të dy herët, tani duke mbetur me duar në xhepa, pa bastionin Podujevë, pa MPB, por duke i shpallur luftë të pabarabartë gruas më të fuqishme, më të votuar dhe më të guximshme.
Ka një kohe që në LDK aplikohet një zakon që s’e ka aplikuar asnjë parti tjetër në Kosovë kur është në pyetje trajtimi i femrës, aty aplikohet një ritual i mizogjinizmit pak si identik me atë të Arabisë Saudite, ‘gratë të vriten me gurë për vdekje për tradhti’ ndaj partisë, dhe tradhtia e vetme e Vjosës është se nuk i nënshtrohet diktatit të meshkujve, njërit me kërrutë dhe tjetrit me mustaqe. Disa në parti gjuajnë gurë vrasës haptas, derisa ata që heshtin gjuajnë dyfish më shumë gurë vrasës por duke e fshehur dorën. Këto sulme të orkestruara ndaj një gruaje, këto heshtje varri ndaj shkaktarëve të humbjeve të njëpasnjëshme të partisë rrinë varur si një shpatë që pret ta çaj njërin krah të partisë.
Arrogancës çnjerëzore të Veliut duhet dhëne një përgjigje të merituar, pse heshtin gratë e LDK-së, gratë e partive të tjera, studentet. Derisa çikat e Kosovës në diasporë janë krenaria jonë në afirmimin e grave shqiptare dhe shtetit tonë, femrat në Kosove heshtin edhe kur u ofendohet rëndë një grua mendjendritur që nuk i nënshtrohet bullizmit, arrogancës, diktatit dhe intimidimit.
Aplikimi i një leksiku urrejtës dhe plot me paragjykime, diskriminimi gjinor, antifeminizmi, mizogjini, janë krime të urrejtjes bazuar dhe motivuar në baza gjinore. Nuk ruhet shtëpia me ulërima frenetike, ‘unë e ruaj shtëpinë time’ dhe duke hedhur gur e vrer mbi një grua, mbi një nënë, mbi një motër, duke e frikësuar gruan, kurrë nuk fitohen zgjedhjet. Ministri i Punëve te Brendshme e ka për detyre qe ta mbroj qytetarin, por ja qe ai behet vetë një sulmues agresiv dhe udhëheqësit e shtetit heshtin, e heshtja është aprovim.


Share

Komente