Shpërndaje lajmin

Nga Mero Baze,
Seanca që do niste “Revolucionin e Madh” për shpëtimin e Sali Berishës, mbaroi. Të kompleksuar nga ideja se të gjithë mendojnë se ata luftën e bëjnë për të mbrojtur Sali Berishën, gjithë protagonistët bënin sikur kishin nga një hall të vetin.
Sali Berisha ishte më i sinqerti. Ai kishte hallin e tij dhe sa herë merrte mikrofonin, në mendje i vinin vetëm troje ndërtimi. Dhe i turrej Edi Ramës sa lekë e ka blerë truallin e ndërtimit në Surrel apo gazetares së Carlo Bolinos duke e pyetur se sa lekë e kanë blerë truallin e redaksisë.
Duket qartë, se arrestimi i dhëndrit për punë trojesh, i ka shtuar dhe një sakatllëk tjetër, atë të idesë që gjithë të këqijat në këtë botë vijën nga trojet.
Madje për shkak të përfoljes së Frangaj për trojet, edhe Argitën sonte e ka hequr nga Klani dhe e ka çuar tek Grida, ngaqë ajo nuk është përfolur për troje, por për apartamente.
Gazmend Bardhi, ju lut gjatë paradites së sotme Sali Berishës të mos vinte në seancë mbasdite, pasi dukej sikur luftonin për të, dhe u ndje i tradhtuar prej tij që ai erdhi. Dhe nga inati çdo fjalim e kishte vetëm me procedurën për marrjen e kreut të grupit parlamentar.
D.m.th halli i tij ishte pse Lindita njeh Lulin dhe jo atë kryetar grupi. Ai as u ndej fare për hallin e dhëndrit, që është në burg, apo vjehrrit që është në derë të burgut. U mor me hallin e tij. Madje nuk doli nga as rrethi që i vizatoi ai deputeti i Elbasanit.
Monika Kryemadhi, e kishte me prokurorët. Dhe nuk ka faj. Siç po shkon puna, asaj mund t’i thërrasin dhe rojen e shtëpisë në SPAK. Dhe meqë nuk pa ndonjë keqardhje në sytë e reporterëve ndërsa fliste për hallet e saj dhe Ilir Metës me SPAK, ua përplasi në fytyrë reporterëve, se SPAK mund të thërrasë dhe dashnore apo dashnorë gazetarësh (nuk di të jetë bërë vepër penale seksi mes gazetarëve.)
Flamur Noka po ashtu bëri atë që di të bëjë gjithmonë, të çuditet si ka njerëz që shajnë Doktorin në Kuvend dhe të shkoj t’u mbyllë mikrofonin duke u marrë kartat. E çmend ideja se si nuk e kuptojnë që Doktori nuk mund të shahet.
Edi Paloka ka 20 vjet po ashtu që i ka mbushur mendjen vetes se mund ta mbrojë Doktorin duke qëlluar ndonjërin me grusht, por deri më sot vetëm një herë e kanë qëlluar dhe s’ka qëlluar asnjëherë.
Madje sot e turpëroi një devolli, i cili sulmoi deputetin Vullnet Sina, i cili ishte në kulmin e një fjalimi për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve me kufizime mendore dhe për një moment, u duk sikur atij deputetit nuk i pëlqeu fjalimi se ishte për të.
Në fund ikën të gjithë të kënaqur. Berisha i kënaqur që detyroi deputetët e opozitës të silleshin si qen gjahu të tij në seancën e parlamentit, Monika e kënaqur që ua përplasi në sy gazetarëve që kanë të dashura apo të dashur, dhe Edi Rama natyrisht dhe më i kënaqur duke u treguar shqiptarëve kë ka përballë.
Tani puna është se ata u kthyen në shtëpitë e tyre, Jamarbëri është në qeli, ndërsa Berisha është dorëzuar më në fund dhe ka pranuar autoritetin e SPAK duke ankimuar vendimin ndaj tij. Të tjerat janë teatër deri ditën e gjyqit./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *