December 8, 2021

Të përndjekur nga Sigurimi: Dialogu i vështirë me të shkuarën i komunitetit të Tiranës

Shpërndaje lajmin

Një ekspozitë me dokumente të deklasifikuara nga arkivat e Ish-Sigurimit të Shtetit tregon se si mijëra qytetarë të Tiranës, kryesisht familje të vjetra të saj, u përndoqën nga policia sekrete e regjimit komunist, ndërsa pasardhësit kërkojnë që e vërteta të mos harrohet.

Afërdita Dalliu, mbesa e klerikut të dënuar nga regjimi komunist, Haviz Ibrahim Dalliu.

Afërdita Dalliu ishte ende fëmijë kur gjyshi i saj, Haviz Ibrahim Dalliu, klerik dhe patriot nga Tirana, u burgos dhe u dënua nga regjimi komunist –një ngjarje që do ta shenjonte të ardhmen e saj përgjithmonë.

“Ai u burgos, u torturua dhe vdiq në vitin 1952, por persekutimi do të vijonte deri në vitin 1991 për të gjithë familjen tonë,” tha Dalliu për BIRN.

“Mua m’u mohua e drejta e shkollimit dhe më dërguan në minierën e Valiasit, ku punova për 25 vjet,” shtoi ajo.

Afërdita Dalliu e ndau historinë e saj në një panel me studiues dhe zyrtarë shtetërorë në një konferencë që u mbajt të enjten në kuadër të ekspozitës “Tirana në sytë e Sigurimit”.

Edhe pse kanë kaluar 30 vjet nga rënia e regjimit komunist në Shqipëri, përballja me të shkuarën vijon të jetë e vështirë dhe historia e mijëra familjeve të persekutuara si ‘armiq të regjimit’ është ende e panjohur.

Ekspozita e organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, në bashkëpunim me shoqatën “Tirana” tentoi të dokumentonte përmasat e përndjekjes nga ish-Sigurimi i Shtetit për familjet e vjetra të Tiranës, si pjesë e rëndësishme e memories së kryeqytetit.

Në stendat e ekspozitës ishin deklasifikuar 8200 fletë, pjesë e 55 dosjeve arkivore për survejimin e familjeve të vjetra të kryeqytetit, ku përfshihen familja Begeja, Toptani, Erebara, Xhemaliu, Kërçiku apo Farka.

Vetëm dosja e familjes së Ali Begesë, kryebashkiak i Tiranës para Luftës së Dytë Botërore, përmbante 458 faqe raportimi nga viti 1958 deri në vitin 1991, ku përfshihet survejimi i të gjithë trungut familjar.

Ali Begeja vdiq në burgjet komuniste, ndërsa pjestarë të tjerë të familjes së tij u përballën me tortura në hetuesi, internime dhe dënime me burg.

Ardiana Topi, drejtoreshë e Arkivit në AIDSSH tha se sipas regjistrave të ish-Sigurimit të Shtetit, vetëm në Tiranë janë përndjekur mbi 4 mijë individë.

“Dosjet hapeshin me vendim për një person, zakonisht kryefamiljarin, dhe më pas hetimi përfshinte të gjithë familjen dhe rrethin shoqëror,” tha ajo.

Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për survejimin e familjeve të mëdha të Tiranës. Foto: Blerina Gjoka.

Për përndjekjen e një familjeje mund të kishte nga 3 deri në 50 bashkëpunëtorë të ndryshëm. Por AIDSSH nuk ka arritur të krijojë një statistikë se sa operativë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit kanë shërbyer vetëm për Tiranën.

“Nuk kemi një numër për punonjësit operativë për shkak se këto të dhëna janë në Ministrinë e Brendshme. Ndërsa për bashkëpunëtorët nuk kemi arritur në një shifër të saktë, për shkak se kanë lëvizur nëpër rrethe apo janë të dublikuar,” tha Topi, duke shtuar se bëhet fjalë ‘për mijëra’.

Pasardhësit e familjeve të përndjekura nga ish-Sigurimi po tentojnë të mbajnë gjallë historinë.

Marsida Najdeni, pasardhëse e familjes Tufina dhe aktiviste e promovimit të historisë dhe vlerave të tiranasve të vjetër, mendon se ata vuajnë ende pas tre dekadash pasojat e propagandës komuniste.

“Komunizmi hyri në Tiranë me dhunë, bëri propagandë uzurpuese karshi vendalinjve, ndaj intelektualëve të Tiranës, iu morën pronat, u persekutuan dhe u burgosën padrejtësisht,” tha Najdeni në një video-mesazh.

Ajo shtoi se ky komunitet ka nevojë të tregojë historinë e vet, pasi brezi i ri përballet akoma me idhtarët e komunizmit që “na mohojnë vuajtjet dhe ekzistencën tonë”.

Sipas kryetares së AIDSSH, Gentiana Sula, ekspozita me materiale dokumentare kërkon të nxisë një dialog për të shkuarën, njohjen dhe përballjen me memorien e kryeqytetit gjatë regjimit komunist.

“Këto dosje nuk janë vetëm një mori datash për të treguar fatet dhe për të nderuar viktimat, por të kuptuar kush jemi dhe për të forcuar rrënjët për brezat e ardhshëm,“ tha Sula, e cila e konsideroi këtë një ftesë për reflektim.

Ekspozita u zhvillua një ditë pasi kryeqyteti festoi 77-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë, një datë historike zyrtare që vazhdon të krijojë ndasi mes studiuesve dhe politikës.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *