October 19, 2021

Tenderi i uniformave, zyrtarët e ministrisë dërgohen në gjyq

Shpërndaje lajmin

Sipas SPAK, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme favorizuan bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik për blerjen dhe shpërndarjen e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit.

Uniformat e prezantuara nga Policia e Shtetit. Foto: Ministria e Brendshme.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të martën dërgimin e kërkesës për gjykim në ngarkim të dhjetë zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të akuzuar për shkelje të barazisë në një tender me fond limit 2.8 miliardë lekë, të zhvilluar në maj të vitit të kaluar, lidhur me uniformat dhe këpucët e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Nën akuzë janë anëtarët e Njësisë së Prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, KVO, si dhe drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari.

Më datën 10 korrik, SPAK njoftoi se gjatë hetimit janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarët  e njësisë së prokurimit, shtetasit Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Klevis Hasani dhe A.M., si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj.

Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë bashkëpunuar me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, duke sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e bashkimit të subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.

Hetimi për këtë çështje nisi pas kallëzimit të depozituar nga deputetët Myslim Murrizi, Halit Valteri dhe Halil Jakimi në gusht të vitit 2020.

 


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *