Tentoi të dilte nga Shqipëria si serb, kapet shtetasi i RMV i kërkuar për vrasje
Policia kufitare në Durrës ka vënë në pranga një shtetas të Maqedonisë së Veriut i shpallur në kërkim në RMV për vrasje.
Ky shtetas sipas policisë tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia
“Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Policisë Kufitare të portit të Durrësit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës, Interpol Shkupit dhe Interpol Beogradit, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, shtetasi D. S. alias D. I., 45 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Ky shtetas ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë dhe t’iu shmanget autoriteteve, duke përdorur një pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia, me rekorde kriminale. Pas verifikimeve të thelluara të kryera nga Policia, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka rezultuar ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e RMV-së, pasi Zyra e Prokurorisë i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga Kodi Penal i këtij shteti”, bëri me dije policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijon procedurat për ekstradimin e 45-vjeçarit.