Tentoi të kontrabandonte akesorë floriri dhe 14 ora dore, arrestohet në Rinas

Shpërndaje lajmin

Një 42-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare këtë të hënë në Rinas, pasi iu sekuestruan sende me vlerë, aksesorë floriri dhe 14 ora dore, të markave të shtrenjta.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në hyrje, bazuar në analizën e riskut, kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, bagazhet e shtetasit K. H.
Si rezultat i kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, aksesorë floriri (varëse, byzylykë, unazë dhe vathë) dhe 14 ora dore, të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, pasi 42-vjeçari nuk dispononte faturë të blerjes së këtyre sendeve.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *