Tesla tërheq mbi dy milionë makina nga tregu amerikan për shkaqe sigurie
Tesla ka njoftuar të mërkurën se do t’i tërheqë mbi dy milionë vetura nga rrugët në Shtetet e Bashkuara të cilat janë të pajisura me sistemin e avancuar ndihmës-shofer, apo autopilot, pasi një rregullator i sigurisë ngriti shqetësime për sigurinë e këtij sistemi.
Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut (AKST) tha se ka dy vjet që është duke e hetuar kompaninë për prodhimin e veturave, e cila udhëhiqet nga miliarderi Elon Musk, për të parë nëse veturat Tesla garantojnë se shoferët janë të vëmendshëm kur e përdorin autopilotin.
Besohet se tërheqja e të gjitha këtyre veturave do të bëhet nga rrugët amerikane.
Tesla tha se kontrollet softuerike të sistemit autopilot “mund të mos mjaftojnë për t’i parandaluar shoferët nga keqpërdorimi i autopilotit” dhe mund ta rrisë rrezikun për përplasje.
Ann Carlson nga AKST tha për Reuters në gusht se “është shumë e rëndësishme që sistemet për vëzhgimin e shoferëve ta kenë parasysh se njerëzit i besojnë teknologjisë më shumë seç duhet”.
Autopiloti i Teslës ka për qëllim t’ua mundësojë veturave drejtimin e timonit, gazin dhe frenimin në mënyrë automatike vetëm brenda korsisë së tyre, ndërsa autopiloti i avancuar mund të ndihmojë edhe në ndërrimin e korsisë në autostrada, por nuk i bën veturat plotësisht të pavarura në vozitje.
Tesla nuk ka treguar nëse do t’i tërheqë veturat edhe nga shtetet e tjera, përveç SHBA-së.
Një zëdhënës i Ministrisë së Transportit të Italisë tha se nuk është i vetëdijshëm nëse në Itali do të ndërmerren veprime të njëjta.
Rregullatorët në Gjermani kanë thënë se po i shikojnë këtë çështje./REL