Tetor 2022- shkurt 2023, “streptokoku A” vret katër fëmijë në Zvicër

0
Shpërndaje lajmin

Që nga vjeshta e vitit të kalua numri i rasteve me skarlatinë te fëmijët ka shkuar në 162, megjithatë disa prej rasteve ishin më të rënda. Që nga tetori i 2022-ës deri në shkurt të 2023-ës katër fëmijë kanë vdekur nga ky infeksion, shkruan 20minuten.
Rreth 41 raste ishin raportuar në vitin 2019, nuk dihet asnjë vdekje në sistemin e raportimit të Njësisë Zvicerane të Mbikëqyrjes Pediatrike (SPSU) deri në vitin 2020. Të dhënat nga 2021 dhe 2022 janë ende duke u vlerësuar, përcjell albinfo.ch.
Sipas Christoph Berger, kryemjek në Departamentin e infektiologjisë dhe higjienës spitalore në Spitalin Universitar të Fëmijëve të Cyrihut, thotë se fëmijët preken më shpesh. “Kështu ka qenë gjithmonë, por është veçanërisht rasti tani, sepse ata janë ekspozuar prej dy vjetësh ndaj infeksioneve”.
Fakti që katër fëmijë vdiqën këtë vit është tragjik, por mund të shpjegohet me rritjen e numrit të infeksioneve: “Nëse ka më shumë raste, për fat të keq probabiliteti për ecuri të rënda rritet”, thotë Berger, përcjell albinfo.ch.
Shumë nga këto raste kanë ndodhur pas një infeksioni viral të shkaktuar nga gripi ose lija e dhenve. Kjo lidhje ka qenë e njohur prej kohësh, por pas pandemisë Covid-19 ka pasur një rritje të infeksioneve me këto viruse. Me përfundimin e sezonit të gripit, edhe këto infeksione duhet të ulen sërish, shkruan 20minuten.
Sipas Berger, infeksionet e rënda me streptokokë të grupit A trajtohen me antibiotikë. Ai nuk beson se situata e pasigurt e furnizimit me ilaçe mund të ketë ndikuar në numrin e infeksioneve dhe vdekjeve. “Edhe nëse format e lëngshme të antibiotikëve nga të cilët varen fëmijët janë aktualisht të vështira për t’u siguruar, furnizimi është garantuar deri më tani, veçanërisht në rastet e rënda”, shprehet mjeku, përcjell albinfo.ch.
Berger këshillon prindërit dhe kujdestarët që të kontaktojnë në kohë pediatrin e tyre me fëmijët që sëmuren papritur rëndë. Fëmijët me infeksione invazive të shkaktuara nga streptokokët e grupit A nuk do të kishin anginë (të mëparshme) në shumicën e rasteve.
Yvonne Gilli, Presidente e Shoqatës Mjekësore Zvicerane, shpjegon se vdekjet tek fëmijët shpesh lidhen me sëmundje të mëparshme ose me një mangësi imune. Aq më e rëndësishme është që specialistët si mjekët dhe personeli infermieror të jenë mjaftueshëm të informuar për valën aktuale të streptokokut. “Kjo është e vetmja mënyrë që rastet të njihen herët dhe të mbrohen pacientët me rrezikshmëri të lartë”, thotë Gilli, shkruan 20minuten.
Sipas raportimeve të mediave, 15 fëmijë nën moshën 15 vjeç kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar nga streptokoku. Ekspertët dhanë alarmin që në dhjetor dhe u bënë thirrje prindërve të jenë vigjilentë.
Sëmundjet e shkaktuara nga “streptokoku A” përfshijnë infeksionin e lëkurës “impetigo”, fruthin e keq dhe streptokokun e fytit.
Ndërsa shumica dërrmuese e infeksioneve janë relativisht të lehta, ndonjëherë bakteret shkaktojnë një sëmundje kërcënuese për jetën e quajtur sëmundje invazive streptokoke e grupit A, përcjell albinfo.ch.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *