Shpërndaje lajmin

Në ambientet e Klubit Shqiptar “Sharri” në afërsi të St. Gallenit, më 19 mars 2023 u mbajt kuvendi themelues i partisë GUXO – Dega në Zvicër. Në këtë kuvend, në moderim të koordinatorit Ismet Salihu, me shumicë votash, kryetar u zgjodh Muharrem Blakaj, kurse nënkryetar Blerim Ferizi.
Në mesin e një numri të konsiderueshëm të pjesëmarrësve të kuvendit zgjedhor të degës së partisë Guxo pati edhe mysafirë nga Kosova, shkruan albinfo.ch.

Enkas për këtë rast kishte ardhur zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, zonja Donika Gërvalla. Ajo ishte shoqëruar edhe nga z. Faton Peci, ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës.

Zonja Gërvalla përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi të gjitha grupet kulturore, shoqërore, politike e sportive kudo në Zvicër për kontributin që japin në fusha të ndryshme të jetës, e sidomos ata që me jetën e kaluar në Zvicër përpiqen t’i përmirësojnë kushtet për komunitetin shqiptar që jeton këtu, për një jetë më të mirë dhe për një perspektivë më të mirë të gjeneratave të reja këtu, por edhe për t’i ndihmuar në mënyrë spontane, sa më shumë, Kosovës, me qëllim që perspektiva e Republikës së Kosovës, sa më shpejt, të jetë më e mirë nesër sesa që ka qenë dje.

Kryetari i sapozgjedhur, z. Muharrem Blakaj themelimin e degës së partisë Guxo në Zvicër e sheh si një mundësi më shumë që kjo parti të japë kontribut në forcimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës. Me këtë rast ai, po ashtu, komplimentoi udhëheqjen e kësaj partie nga femrat, siç janë zonja Osmani e zonja Gërvalla, duke vënë theksin te ndjesia më e madhe që e shprehin femrat për mëmëdheun, në raport me meshkujt, të cilët herë-herë dinë të shprehin një vrazhdësi (arrogancë) në udhëheqje.

Më pas ai dha edhe një biografi të shkurtër personale, duke përkujtuar se vjen nga fshati Vrellë i Istogut dhe se ka qenë i përndjekur dhe i burgosur politik në sistemin jugosllav, shkruan albinfo.ch. “Kam qenë në grupin e Jusuf Gërvallës, prandaj edhe ishte një arsye më shumë për angazhimin tim në këtë parti, ku gjendet sidomos vjaza e Jusufit – Donika e cila sot ishte në mesin tonë”, tha mes tjerash z. Blakaj.

Arratisjen e tij nga Kosova z. Blakaj e lidhi me shmangien nga atentati që i ishte përgatitur nga Baboviqi, pas vrasjes së vëllait të Muharremit – Xhemajlit, që i ishte bërë pikërisht nga po i njëjti person.

Në Kuvend u propozuan edhe emrat për kandidatë të kryesisë së Degës në Zvicër dhe ata janë: Alban Gashi – Luzern; Ismet Bushati – Zürih; Reshat Murati – Thurgau; Haradin Gashi – Thurgau; Shyqyri Azemi – Zug; Bajram Mehmeti – Freiburg; Hasan Bunjaku – Luzern; Florent Turkaj – Basel; Mikel Ademi – Thurgau; Bedri Kryeziu – Thurgau; Fehmi Sadiku – Argau; Bajram Shala – Zürich; Besim Gashi – Thurgau; Shaqir Shala, Vlora Gashi.

Zoti Blakaj u zotua para zgjedhësve të tij se do të japë maksimumin për zgjidhjen e të gjitha detyrave që do t’i parashtrohen atij, në të ardhmen, nga partia Guxo dhe veprimtarët e saj.

Duke e përgëzuar kryetarin e sapozgjedhur në këtë kuvend, ministri Faton Peci përgëzoi z. Blakaj duke e falënderuar për veprimin e tij tejet demokratik, i cili kundërkandidatin e tij, z. Blerim Ferizi e propozoi për nënkryetar dhe bashkudhëtar të rrugëtimit të tij politik në partinë GUXO.

Kuvendin e përshëndeti edhe z. Kujtim Hajdaj, anëtar i Kryesisë së partisë Guxo në Kosovë, dhe koordinator për themelimin e degëve të partisë Guxo jashtë Kosovës.
(Teksti dhe fotot: Xhevdet Kallaba)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *