Thirrja e NATO-s: Palët t’i ndalin veprimet që mund t’i rrisin tensionet në veri
Sot, sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, përsëri ka bërë thirrje ndaj Kosovës dhe Serbisë që të shtensionohet situata në veri të vendit, përcjell albinfo.ch.
Ai i bëri këto komente para takimit të shteteve anëtare të BE, ku ndër të tjera pritet të diskutohet edhe për situatën në veri të Kosovës.
“Situata në Kosovë dëshmon edhe bashkëpunimin NATO-BE. NATO mbështet fuqimisht përpjekjet e Bashkimit Evropian, përpjekjet diplomatike që BE-ja lehtëson dialogun me procesin tonë ushtarak në terren, forcat e KFOR-it. Ne kemi shtuar praninë tonë atje dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të de-eskalojnë situatën, dhe të ndalin çdo veprim që mund të rrisë më tej tensionet dhe të angazhohet në mirëbesim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, ka thënë ai.
Ndryshe, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.