“Thoshte ‘janë llum’”- Rama: Berisha s’donte të lironte të burgosurit politikë
Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar të PodKastit “FLASIM”, të titulluar “Ancora Vivo”, këngëtarin Frederik Ndoci.
Gjatë bisedës mes tyre, Rama e Ndoci kujtuan momentet kur të dy, atëherë studentë në Universitetin e Arteve u bashkuan në lëvizjen studentore të viteve 1990, e cila ishte lëvizja e parë masive për rrëzimin e sistemit komunist që mbante peng vendin për 46 vite.
Rama po ashtu kujtoi se ai nxiti firmosjen e një peticioni ndaj Ramiz Alisë, ku kërkohej të dënohej figura e Enver Hoxhës si dhe të liroheshin të burgosurit politikë.
Por sipas Ramës, ishte ish-kryeministri Sali Berisha (atëherë pjesë e lëvizjes) që nuk pranonte, gjë që sipas tij, çoi edhe në ndarjen e tyre.
“Sollëm Kasem Trebeshinën, i pari i burgosur politik që e shihnim si person real. Se partia e Ritës ishte kundër. Jashtë ishin makinat e degës së brendshme. U thashë të lutem mos ikni pa firmosur peticionin për presidentin Ramiz Alinë në atë kohë. Të rishikohet figura e Enver Hoxhës dhe të lirohen të burgosurit politik.
Aty ishin 700 vetë. Peticioni u firmos nga 200 vetë. E çuam tek Presidenca, më pas e çuam tek Rilindja Demokratike, që nuk e botoi. Më pas lideri legjendar i Ritës kur kemi qenë tek Stadiumi, tha: ‘Ju nuk keni vend këtu se doni të nxirrni llumin e shoqërisë nga burgu’. Të burgosurit politikë dhe Kasem Trebeshina i shkretë tha atëherë: ‘Ikim se fëmija paska lindur i vdekur’”, pohoi Rama.
Nga ana tjetër, Ndoci gjatë fjalës së tij tregoi arsyen se pse la SHBA-të për t’u rikthyer në Shqipëri, ndërsa vlerësoi ndryshimet që sipas tij janë bërë në vendin tonë.