Tjetër disfatë ligjore për Trump, Gjykata në Pensilvani rrëzon padinë e presidentit

Share

Përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit morën një tjetër goditje të shtunën kur një gjyqtar federal hodhi poshtë një padi gjyqësore të ngritur nga ekipi i fushatës së tij,  që kërkonte shpalljen e pavlefshme të miliona votave të hedhura me postë në Pensilvani.

Gjykatësi Mattheë Brann tha se pretendimet për parregullsi ishin të pabaza.  Ai pohoi se fushata e Trump ishte përpjekur të zhvlerësonte gati 7 milion vota, por argumentat e dobëta dhe akuzat e pabaza nuk mund ta justifikonin një hap të tillë.

Vendimi i hap rrugën, certifikimit të fitores së demokratit Joe Biden me 80 mijë vota më shumë. Ky i fundit projektohet të mundë kreun e Shtëpisë së Bardhë me 306 vota elektorale kundër 232, ndërsa pragu i nevojshëm për të siguruar presidencën eshtë 270 vota elektorale.

Fushata e Trump ka humbur një sërë sfidash ligjore në përpjekjen për të përmbysur rezultatin në shtetet kyce, që konsiderohen si thelbësore për shpalljen e Biden, zyrtarisht fitues.

Pak republikanë i kanë kërkuar presidentit të pranojë humbjen, por pas vendimit të gjykatësit në Pensilvani, senatori republikan i këtij shteti, Pat Toomney tha se Trump kishte ezauruar të gjitha mundësitë ligjore, dhe se tani duhej të pranonte rezultatin. 

Avokati personal i Trump, Rudi Giuliani tha në një deklaratë se do të apelonte vendimin. Të shtunën ekipi i presidentit kërkoi një tjetër rinumërim në Georgia, një ditë pasi rinumërimi me dorë, konfirmoi fitoren e Biden në shtetin tradicionalisht të kuq.


Share

Komente