April 15, 2021

Tjetërsimi i tokave në bregdet, arrestohet shefi i sigurisë së portit të Shëngjinit

Shpërndaje lajmin

Shefi i sigurisë së portit të Shëngjinit u arrestua pas një hetimi 6 mujor të prokurorisë mbi tjetërsimin e pronave në bregdet në kohën që ai ishte punonjës i ish-Komunës së Shëngjinit.

Plazhi i Shëngjinit. Foto ilustruese: Elvis Hila

Një ish-zyrtar i Komunës së Shëngjinit është arrestuar nga policia të shtunën nën akuzën e tjetërsimit të pronave. Agostin Gjini 56-vjeç banues në Ishull-Lezhë, aktualisht me detyre shef i sigurisë në portin e Shëngjinit, u ndalua nga Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, pasi gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ai dyshohet nga prokuroria se gjatë ushtrimit të detyrës si përgjegjës i Sektorit të Arkivit dhe Protokollit në ish-Komunen Shëngjin gjatë viteve 2011-2014 ka falsifikuar dokumentet, duke tjetërsuar sipërfaqe toke në bregdetin e Shëngjinit, nga lloji i pasurisë rërë në arë.

Gjithashtu në lidhje me këtë çështje është shpallur në kërkim dhe një person tjetër i akuzuar si përfitues tokë në mënyre të paligjshme.

Hetimet në lidhje me këtë çështje kanë nisur 6 muaj më parë nga Prokuroria e Lezhës, ndërsa bëhet e ditur se “vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar”.

Tjetërsimi i pronave në bregdet nga rërë në arë është një fenomen i përhapur në të gjithë vendin. Vetëm në Lezhë janë edhe dy dosje të tjera që po gjykohen, në lidhje me tjetërsim pronash. Nën akuzë për tjetërsimin janë një mori zyrtarësh lokalë, përfshi ish-kryebashkiakun Fran Frroku, i cili u dënua në Shkallën e Parë, por çështja është kthyer për rigjykim. Ndërkohë në gjykim për tjetërsimin është edhe ish-deputeti i Partisë Sociliste Arben Ndoka.

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dënoi vëllain e Ndokës me 6.8 vjet burg dhe motrën e tij me 4 vjet shërbim prove dhe një sërë zyrtarësh të tjerë, ndërsa njoftoi në shkurt konfiskimin e gati 60 milion eurove prona të tjetërsuara. Çështja ndaj ish-deputetit u veçua dhe ai do të gjykohet në Lezhë. Çështje të ngjashme me përfshirjen e zyrtarëve të lartë lokalë ka pasur në Kavajë, Vlorë, Shkodër dhe pjesë të tjera të vendit.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *