September 25, 2021

Tom Doshi jep dorëheqjen nga PSD, duke i hapur rrugën një koalicioni me PS

Shpërndaje lajmin

Kandidati për deputet i anatemuar nga SHBA, ka dhënë doreheqjen pa përfunduar numurimi i votave, një sinjal për një koalicion të mundshëm midis PSD-së dhe PS-së.

Tom Doshi duke folur para gazetarëve më 2 mars 2015 pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Foto: LSA / MALTON DIBRA

Bizsnesmeni  dhe kandidati për deputet Tom Doshi ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për dorëheqje të parevokueshme nga mandati për deputet.

“Unë i nënshkruari Tom Doshi me vullnetin tim të lirë dhe të plotë deklaroj se në datën 26 Prill jap dorëheqjen nga mandati im si deputet i Kuvendit të Shqipërisë,” shkruan Doshi në një letër dorëzuar në KQZ.

“I kërkoj KQZ të bëjë zëvendësimin tim si deputet sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor,” ka shtuar ai.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga KQZ, PSD ka marrë 1.92% të votave në rang kombëtar – kur janë numuruar 1488 nga 5199 kuti votimi, pjesa më e madhe e këtyre votave në qarkun e Shkodrës ku mund të sigurojë një mandat deputeti.

Ky mandat merr një vlerë të lartë duke konsideruar projeksionet për një rezultat të ngushtë midis mazhorancës dhe opozitës në zgjedhjet parlamentare të së dielës dhe i hap mundësinë PSD-së të hyjë në koalicion me Partinë Socialiste.

Por për shkak se Doshi është përfshirë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për përfshirje në korrupsion, kryeministri Edi Rama ka premtuar gjatë fushatës zgjedhore së nuk do ta ndërtojë qeverinë në koalicion me Tom Doshin.

Dorëheqja e Doshit i hap dritën jeshile Ramës për të hyrë në koalicion me PSD-në, nëqoftëse të dy partitë sigurojnë një mazhorancë parlamentare. Mbetet e paqartë çfarë roli do të luaj Doshi pas kuintave në Partinë Social Demokrate pas zgjedhjeve.


Shpërndaje lajmin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *