Trëndafila për ‘8 Mars’; ndihma e pamjaftueshme për viktimat e dhunës në familje

Shpërndaje lajmin

Ndërsa po bisedonim, një grua iu afrua Florijes dhe i kërkoi me mirësjellje nëse mund të priste një bisk nga trëndafili i kuq që ajo kishte lënë mbi tavolinë.
Trëndafilin e kishte marrë nga kryetari bashkisë së Beratit, në një takim përshëndetës me rastin e ‘8 Marsit’, me gratë e grupeve vulnerabël dhe viktima të dhunës.
“Merre, merre,” tha Florija, duke ia dhuruar trëndafilin zonjës të veshur si për festë.
Florija jeton në lagjen Uznovë dhe ka tre fëmijë të moshës 9, 15 dhe 17 vjeç, të cilët janë të tre të sëmurë. Përveç dhimbjes që i shkakton gjëndja e keqe shëndetësore e tyre, ajo thotë se është dhunuar nga bashkëshorti prej gati 20 vitesh.
“Ndahu-bashkohu, ndahu-bashkohu,” kujtoi ajo, ndërsa shtoi se edhe ‘fejesa nuk më ka shkuar mirë hiç.’
Florija tregon se gjatë viteve bashkëshorti ka hyrë dhe ka dalë vazhdimisht nga komisariati. Herën e fundit ai u arrestua pasi vuri dorë mbi Florijen dhe të bijën.
“Kush e di sa herë e kam denoncuar në polici,” tha ajo. “Dhunë ndaj meje, ndaj fëmijëve, fizike, psikologjike, nga llafet më të ndyra,” shtoi Florija.
Florija nuk është e vetme, pasi dhuna në familje në Berat vazhdon të regjistrojë stastika shqetësuese. Nga të dhënat që BIRN mori prej Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ndër 249 kërkesa për urdhër mbrojtje të lëshuara në dy vitet e fundit, 164 ose 60 për qind e tyre ishin për gra të dhunuara prej bashkëshortëve.
Pavarësisht numrit të lartë të denoncimeve dhe kërkesave për mbrojtje, numri i burrave që dënohen për dhunë në familje është i ulët.
“Në vitin 2020, ka pasur në total 18 të dënuar dhe në vitin 2021, 35 të dënuar”, thekson Gjykata në një përgjigje me shkrim.
Kjo shifër është e barabartë 20 për qind e rasteve të denoncuara.  Megjithatë, autoritetet këmbëngulin se për gratë dhe vajzat pre të dhunës, është rritur mbështetja, çfarë ka sjellë rritje të denoncimeve.
Valbona Qafa, koordinatore kundër dhunës në familje në Drejtorinë e Policisë Berat, thotë se si rezultat i fushatave ndërgjegjësuese në fasoneri dhe në shkollat 9-vjeçare e të mesme të qarkut Berat, denoncimet në polici për dhuën në familjë kanë regjistruar rritje edhe gjatë dy muajve të parë të vitit 2022.
Kolegia e saj Juvina Qevani, Koordinatore Vendore Kundër Dhunës në Familje, shpjegoi se pas një procesi vlerësimi risku, autoritetet lokale ofrojnë mbështetje dhe strehim për viktimën.
Sipas Qevanit, kur ka dyshime se gratë janë në rrezik nga familjarët e dhunuesit apo kur ai vetë nuk është arrestuar, atyre u mundësohet fillimisht strehimi në kushtet e emergjencës e më pas një bonus qiraje.
Drejtoria e Shërbimit Social në Bashkinë Berat, DSHSB, thotë se streha e emergjencës është hapur prej shtatorit dhe aty gratë dhe vajzat mund të qëndrojnë deri në 72 orë.
Ndërkohë gratë që kanë nevojë për më shumë ndihmë adresohen në qendrën psikosociale “Vatra” në Vlorë, e cila i mbështet gratë e dhunuara me qira banese deri në 12 mijë lekë në muaj për deri 3 muaj dhe u jep paketa ushqimore 8 mijë lekë çdo muaj, i ndihmon me barna dhe ndihmë juridike falas.
Vetë bashkia e Beratit sipas DHSB-së ofron gjithashtu bonus qiraje deri në një vit dhe “mbështetje që mund të shkojë deri në pesë vjet duke ripërsëritur aplikimin”.
“Në muajin shkurt ka qenë numri më i lartë i grave me urdhër mbrojtje që janë mbështetur me bonus qiraje nga bashkia dhe kjo ka ardhur falë punës,” tha Drejtoria e Shërbimit Social në një përgjigje me shkrim.
Megjithatë, gratë dhe vajzat të cilët janë viktimat e dhunës në familje, shprehen se mbështetja që marrin nga autoritet është e mirëpritur por e pamjaftueshme.
“Unë dje nuk kisha as kripë, për fëmijët, për gjellë,” tha Florija. Ajo shpjegoi se e mban frymën gjallë dhe e ushqen familjen vetëm me një lopë. Të ardhurat e vetme janë 10 mijë lekë që merr si KEMP për një prej fëmijëve dhe 9 mijë lekë ndihmë, që bashkia e Beratit i jep për sa kohë është me urdhër mbrojtjeje.
Ajo thotë se bashkia është munduar ta ndihmojë, duke i dhuruar një sobë që të qëndrojnë ngrohtë në dimër, por çmimi i gazit është rritur dhe është bërë i papërballueshëm për të ardhurat e saj të pakta.
“Çmimi i miellit është rritur, bombula (gazi) po ashtu, ushqimet po ashtu,” tha Florija. “Rri dy vakte pa ngrënë që të hanë fëmijët,” shtoi ajo.
Arta Dyrmishi, e cila drejton prej 24 vjetësh organizatën e Mbrojtjes së të Drejtave të Grave në Berat, thotë se zgjidhje për gratë e dhunuara do ishte punësimi dhe integrimi në shoqëri.
“Në këtë mënyrë, edhe duke i punësuar, unë mbyll ciklin e fuqizimit dhe integrimit të tyre, sepse një grua është shumë e vështirë të integrohet kur nuk ka një zanat dhe një punë,” shpjegoi ajo.
Përveç punës Florija tani po kërkon edhe divorcin. Ajo ka frikë se pasi të mbaroi dënimin, i shoqi do të kthehet dhe dhuna mund të fillojë nga e para.
“Unë ia kam dhënë mundësinë shumë herë,” kujtoi ajo, ndërsa shtoi se kur të dalë nga burgu bashkëshorti do të kthehet në shtëpi. “Unë aty dhunë do kem prapë, por fëmijët nuk e duan,” përfundoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.