Trump mund të përballet me akuza

Shpërndaje lajmin

Një komitet i Kongresit të Shteteve të Bashkuara që po heton dhunën e 6 janarit 2021, në ndërtesën e Kongresit amerikan po përpiqet të ndërtojë një rast kundër presidentit të atëhershëm, Donald Trump, për, siç thuhet, sjellje të paligjshme.
Por, çfarë akuzash mund të ngrenë prokurorët kundër tij dhe si mund të mbrohet ai?
Në një dosje, të dorëzuar në gjykatë më 2 mars, komiteti ka përshkruar në detaje përpjekjet e Trumpit për të bindur nënpresidentin e atëhershëm amerikan, Mike Pence, që të refuzojë listën e zgjedhësve të Joe Bidenit, i cili i ka fituar zgjedhjet, ose të shtyjë numërimin e atyre votave në Kongres.
Përpjekjet e presidentit mund të shkelin një ligj federal, që e bën të paligjshëm pengimin e çdo procedure zyrtare, ose tentimin për ta bërë atë, thotë David Carter, gjykatës federal i Kalifornisë, i cili mbikëqyr rastin.
Cassidy Hutchinson, ndihmëse e shefit të atëhershëm të personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, ka thënë se Trump i ka shpërfillur shqetësimet se disa mbështetës të mbledhur për fjalimin e tij jashtë Shtëpisë së Bardhë, më 6 janar, kanë pasur pushkë të llojit AR-15.
Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka thënë se Trump ka kërkuar të dërgohet në Kongres për t’iu bashkuar mbështetësve të tij, që më pas janë futur dhunshëm në ndërtesën e institucionit ligjvënës, dhe se ka bërë përpjekje të kapë timonin kur sigurimi i tij ka insistuar që ta kthejë në Shtëpinë e Bardhë.
Hutchinson ka thënë se biseda i është transmetuar nga Tony Ornato, një zyrtar i lartë i Shërbimit Sekret, i cili ka qenë zëvendësshef i shtabit për operacione në administratën Trump./reuters
 

Leave a Reply

Your email address will not be published.