Trump nuk mban përgjegjësi për sulmin ndaj Kapitolit

Share

Presidenti Donald Trump nuk mori përgjegjësi lidhur me rolin e tij në nxitjen e protestave të dhunshme në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara javën e kaluar.

Duke folur me gazetarët përpara se të udhëtonte në Teksas sot paradite, zoti Trump tha se fjalët e tij para mbështetësve javën e kaluar ishin “plotësisht të përshtatshme”.

Disa minuta para se përkrahësit e tij të sulmonin Kapitolin, zoti Trump i inkurajoi ata të marshonin drejt ndërtesës së Kongresit, ku ligjvënësit po numëronin votat e Kolegjit Zgjedhor për të konfirmuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Presidenti Trump, për muaj me radhë, kishte pretenduar në mënyrë të pasaktë se zgjedhjet e nëntorit ishin manipuluar, pavarësisht nga përfundimet e administratës së tij për të kundërtën.

Ndërsa protestuesit ishin ende në Kapitol, zoti Trump lëshoi një video që dukej se i justifikonte ngjarjet, duke thënë për protestuesit: “Ju duam. Jeni shumë të veçantë.”

Një oficer policie i Kapitolit vdiq nga plagët e marra gjatë veprimeve të dhunshme dhe policia qëlloi një grua gjatë përpjekjeve për të frenuar turmën. Tre persona të tjerë vdiqën në ato që autoritetet thanë se ishin urgjenca mjekësore./VOA


Share

Komente